Gjykata e Elbasanit ka zhvilluar sot seancën për caktimin e masës së sigurisë ndaj personave të përfshirë në ngjarjen ku mbeti i vdekur Pjerin Xhuvani. Ajo ka vendosur të lërë në burg Arbër Paplekaj-n të akuzuar për vrasjen e Xhuvanit. Ndërkohë, janë liruar 10 të akuzuarit e tjerë, mes tyre 9 vullnetarë të Partisë Demokratike. Gjykata e ka quajtur të paligjshëm arrestimin e tyre dhe ka dhënë masën e sigurisë me detyrim paraqitjeje për ta.
10 anëtarët e Strukturës së Mbrojtjes së Votës, pranë PD që janë lënë të lirë janë: Arjan Hoxha, Pavlo Vuksani, Emiljan Prenga, Juljan Mataj, Erald Guga, Erjon Demushi, Taulant Ymeri, Roland Xhepa, Nuredin Kasma, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Heqja e paligjshme e lirisë së personit e kryer me dhunë” në bashkëpunim.
Nga kontrollet e kryera në makinën e Klemend Xhaferrit është gjetur një listë me emra dhe disa karta ID. Po ashtu në makinën e e Mehmet Grecës janë gjetur një sasi e madhe parash, ndërkohë që mjeti i tij ishte pa targa.
Sipas prokurorisë dy prej të arrestuarve Emiljano Prenga dhe Nuredim Kasmar rezultojnë të dënuar më parë, ndërkohë që Prokuroria nuk ka sqaruar ende se kush qëlloi i pari në përplasjen për arsye politike. Si pasojë e përplasjes me armë mes dy grupeve në Elbasan, pas përplasjeve politike, mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, ndërkohë që u plagosën 4 të tjerë.