Integrimi i Maqedonisë së Veriut në BE/ Bullgaria pritet të mbajë referendum

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev ka vendosur të konsultohet me qytetarët për çështjen e integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE.

Ai thotë se “zgjidhja e fundit është gjithmonë populli” dhe theksoi se ka mekanizma kushtetues për konsultimin e tyre, raporton agjencia e lajmeve INA.

“Opinioni publik në Bullgari ka një qëndrim të fortë për marrëdhëniet me Shkupin, por dilema se si do të formulohet pyetja e referendumit do të ishte vendimtare,” raportuan disa media bullgare pasi ndanë idenë e Radevit, siç u dha së fundmi nga VMRO-ja bullgare.

Mediat në Bullgari theksojnë se shpallja eventuale e referendumit do të marrë shumë kohë dhe sigurisht që mund të ndikojë në procesin e zhvillimit të negociatave dypalëshe, por edhe të ngadalësojë më tej integrimin evropian të rajonit.

Deri më tani nuk ka shenja se vetoja bullgare për fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë me Bashkimin Evropian do të hiqet deri në fund të presidencës franceze. Një mesazh të tillë e ka dërguar edhe ministrja e Jashtme bullgare, Teodora Gencovska.

Vëmendja e opinionit bullgar është përqendruar në takimin e ardhshëm të kryesisë shtetërore atje me presidentin francez Emmanuel Macron, në të cilin Radev deklaroi se nuk do të marrë pjesë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *