Urdhri i Mjekut ngre shqetësim për reklamat shëndetësore: Të ngrihet një bord filtrimi!

Reklamat për barna dhe vitamina që trajtojnë problemet e shëndetit kanë “pushtuar” hapësirat e marketingut në kanalet televizive në vend, teksa Urdhri i Mjekut ka ngritur shqetësimin për efektin që mund të krijojnë dhe përfshirjen në të mjekëve që nuk janë të licencuar.

Në një artikull të posaçëm për këtë qëllim presidenti i Urdhrit të Mjekut Fatmir Ibrahimaj vuri në dukje se ka një dyndje e tepruar të reklamave shëndetësore në transmetimet televizive.

“Nëpërmjet tyre publiku mëson për barna çudibërës, hera herës nuk tërhiqet vëmendja për efektet anësore të tyre, procedura diagnostike apo terapeutike që vlejnë të bëhen nga shumica e njerëzve, si dhe njësi shërbimi ku bëhen mrekulli dhe çudira të papara. Hera herës këto gjëra bëhen nga mjekë. Këta mjekë reklamohen nga klinika apo spitale private edhe kur nuk janë licencuar akoma nga UMSH-ja. Duke i parë si profesionist këto reklamime, mendoj se duhet më shumë vëmendje, kujdes, kontroll dhe përgjegjshmëri për to sepse kanë mjaft pavërtetësi”, tha zoti Ibrahimaj.

Ai tha se, mesazhet e tyre nuk janë të duhurat dhe përgjegjësia nuk dihet ku është, si: në hartimin e tyre, pranimin dhe transmetimin tek publiku, etj.

Dihet se reklamat shëndetësore kanë specifikë për vetë rëndësinë, ndikimin dhe pasojat në shëndet, në marrëdhëniet mjek-pacient, mospërputhja e pritshmërive me rezultatet sjell probleme tek individi i zhgënjyer, vë në dukje Presidenti i Urdhrit të Mjekut.

Qysh në deklaratën e Gjenevës (1948) informimi i publikut është detyrim etik për mjekët dhe farmacistët: “do të përhap njohuritë e mia mjekësore në të mirë të të sëmurit dhe përparimit të kujdesit shëndetësor” këtij paragrafi në Kodin Ndërkombëtar të Etikës Mjekësore (KNEM) i janë shtuar detaje si: – Njohuri shkencore, të bazuar në evidencë për të kontribuar në shëndetin, mirëqenien e popullatës dhe mbarë shoqërisë.

Element tjetër i rëndësishëm është detyrimi për evitimin e konfliktit të interesit. Këtu nënkuptohet që: opinionet profesionale të mos ndikohen nga përfitime vetiake të mjekut apo institucionit ku ai punon.

Kodin Ndërkombëtar të Etikës Mjekësore thotë se, “Mjekët nuk duhet të lejojnë që gjykimet e tyre profesionale individuale të jenë të ndikuara nga mundësia e përfitimit të tyre apo institucionet. Mjeku duhet të njohë dhe shmangë konfliktin e interesit real apo potencial. Kur ato janë të pashmangshme duhet ta deklarojë dhe menaxhojë si duhet”.

Ndërsa për reklamat shëndetësore: Mjeku duhet të përmbahet ndaj reklamave dhe marketingut jo të saktë ose të papërshtatshëm dhe të sigurohet që informacioni i përdorur prej tyre të jetë i faktuar dhe të mos mashtrojë publikun, raporton Urdhri i Mjekut.

Bazuar në përvojën dhe dokumentet ndërkombëtare, si dhe legjislacionin tonë edhe në Kodin e Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore të hartuar nga UMSH-ja, ka përcaktime etike dhe morale për mjekun.

Ne neni 11 – Mbi reputacionin profesional dhe figurën morale thuhet shprehimisht “….në çfarëdo rrethane qoftë, mjeku nuk duhet të lejojë që emri i tij të përdoret për qëllime publicitare e fitimprurëse, ai duhet të ruhet nga vetëmburrja dhe fryrja e pa vend e famës së tij”.

Presidenti i urdhrit të mjekut u shpreh se, mjekët (që lidhen me reklamimin) janë përgjegjës për përmbajtjen e reklamës, pavarësisht se kush e ka hartuar apo prodhuar atë. Kur jepen mesazhe të gabuara, mund të krijohen pritshmëri të parealizueshme, që nxitin të sëmurët ose publikun të kërkojnë procedura, ekzaminime, ndërhyrje kirurgjikale apo trajtime të tjera të panevojshme.

Ai vuri në dukje se, reklamat mashtruese sigurisht bëhen të dëmshme, dhe hera herës cenojnë ose rrezikojnë shëndetin e publikut.

Ibrahimaj sugjeroi nevojën e një bërthame, grupi ose bordi tek AMA në bashkëpunim me profesoratin mjekësor për të bërë një filtër të reklamave (sigurisht jo censurë, por parandalim të dëmeve dhe ndodhive të papëlqyera nga reklamimet jo të rregullta, jo të sakta dhe që bien ndesh me shkencën dhe etikën mjekësore).

Ai tha se, vendosja e rregullsisë në reklamimet shëndetësore kërkon një angazhim serioz dhe përfshirje të disa strukturave shoqërore (AMA, Profesorati mjekësor, UMSH-ja, Urdhri i Farmacistëve, Agjencia e Kontrollit të Barnave, Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet vartëse, Shoqata të Pacientëve, Avokati i Popullit, etj..). Produkti i përbashkët i tyre do të çojë në kontrollin, lejimin dhe transmetimin e mesazheve të duhura tek publiku. Atëherë edhe reklamat do të jenë një formë e rregullt e informimit shëndetësor të popullatës./monitor

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *