Në Gjermani, vijonë sërish kërkimet për persona të tjerë nën një vagon treni të përmbysur nga e premtja e mesditës, ku deri tani janë konfirmuar 4 viktima. Autoritetet thonë se mund të bëhet fjalë për një numër një shifror personash që ende nuk janë gjetur.
Presidenti federal Steinmeier shprehu ngushëllimet e tij për të plagosurit dhe familjet e tyre. Ai falënderoi punonjësit e shpëtimit. ‘Mendimet e mia janë me të lënduarit dhe të gjitha familjet e tyre në këtë moment të vështirë. Dëshiroj të falënderoj të gjithë policinë dhe punonjësit e shpëtimit për punën e tyre të palodhshme dhe të rëndësishme’, ka shkruar ai.
Aksidenti shkaktoi tmerr në të gjithë Gjermaninë. Kancelari Olaf Scholz dhe kryeministri i Bavarisë Markus Söder shprehën ngushëllimet e tyre për të afërmit. Söder, Ministri Federal i Transportit Volker Ëissing dhe shefi i Bahn Richard Lutz po vizitojnë të shtunën vendin e aksidentit. Sipas Lutz, Deutsche Bahn po bën çmos për të mbështetur hetimet e autoriteteve.
Puna e shpëtimit pas një aksidenti treni në Garmisch-Partenkirchen është e vështirë, ndërkohë që është ende i paqartë shkaku i aksidentit. Një zëdhënës i policisë tha në mëngjes se të vdekur të tjerë ishin ende nën një nga vagonët e përmbysur – kolegët e tij në vendin e aksidentit më vonë korrigjuan këtë informacion. Megjithatë, nuk mund të përjashtohet mundësia e gjetjes së viktimave të tjera nën vagon. Të premten pasdite, disa vagonë treni rajonalë dolën nga shinat në rrugën për në Mynih në rrethin Burgrain.