Drejtues të policisë së Shkodrës, në një dalje për mediat u pyetën në lidhje me ngjarjen kriminale që ndodhi më 2 qershor në këtë qytet, ndërsa u bë me dije se po vijojnë hetimet.
Sipas policisë, hetimet vijojnë, por nuk mund të bëhen të ditura detajet për shkak të sekretit hetimor.
“Janë mbledhur grupet hetimore dhe vazhdon puna. Detaje nuk mund të japim për shkak të sekretit hetimor. Ka grupe të dedikuara hetimore të përbëra nga specialistët më të mirë të policisë.”, tha drejtuesi i policisë.
Sakaq është folur edhe për disa vepra penale të tjera që kanë arritur të zbardhen ngjarja e ndodhur më datë 09.05.2022, në Koplik, Malësi të Madhe. Gjithashtu zbulohet një banesë e përshtatur për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave.
Vihen në pranga 9 shtetas, procedohen penalisht 3 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër.
Sekuestrohen 31 kilogramë kanabis, pajisje që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, si dhe prova të tjera materiale që i shërbejnë hetimit për dokumentimin me prova ligjore të grabitjes me armë dhe dhunë të filialit të bankës në Koplik të Malësisë së Madhe.
Gjatë kontrollit nga polumbarët e RENEA-s, deri tani është gjetur njëra nga armët e zjarrit që autorët kishin me vete gjatë kryerjes së grabitjes së vlerave monetare.
Përshëndetje,
Jemi sot këtu, së bashku me prokurorin e çështjes, për të komunikuar mbi rezultatet e arritura gjatë megaoperacionit policor të koduar “Syri i Sheganit”, gjatë të cilit u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i grabitjes me armë e dhunë të filialit të një banke të nivelit të dytë në Koplik të Malësisë së Madhe, identifikimi, kapja dhe ndalimi i autorëve të dyshuar, si dhe u gjetën dhe u sekuestruan prova që i shërbejnë hetimit për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje. Në lidhje me këtë ngjarje u ndaluan 3 autorë të dyshuar.
Gjithashtu, gjatë këtij megaoperacioni është zbuluar një ambient i përshtatur për të kultivuar bimë narkotike nëpërmjet llambave, si dhe u sekuestruan 31 kilogramë kanabis, llamba e pajisje të tjera që shërbenin për kultivim të bimëve narkotike me anë të llambave. Për këtë janë arrestuar në flagrancë edhe 6 persona të tjerë, janë proceduar në gjendje të lirë 3 persona dhe është shpallur në kërkim 1 tjetër.
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 09.05.2022, në Koplik, Malësi e Madhe, ku persona të paidentifikuar, nëpermjet kërcënimit me armë dhe dhunës, morën një sasi të konsiderueshme vlerash monetare, në një bankë, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Shkodër, organizoi punën për zbardhjen e kesaj ngjarjeje.
Pas një pune të mirorganizuar dhe ndjekjes me metoda proaktive, për një periudhë 4-javore, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative nga strukturat policore vendore, si dhe në provat e grumbulluara nga hetimi, u bë e mundur zbardhja e kësaj ngjarjeje kriminale.
Bazuar mbi këto prova, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër autorizoi kryerjen e kontrolleve në disa banesa dhe ambiente në të cilat dyshohet se mund të fshiheshin autorët apo mund të përdoreshin prej tyre.
Në këtë kuadër, nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, nën drejtimin e prokurorit të çështjes, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale dhe Drejtorinë FLO, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Syri i Sheganit”.
Si rezultat u kapën dhe u ndaluan shtetasit:
Bekim Gurraj, 22 vjeç, Armir Shabaj, 25 vjeç dhe Admir Shabaj, 19 vjeç, banues në Aliaj, Malësi e Madhe.
Ndalimi i këtyre shtetasve u bë sepse në datën 09.05.2022, rreth orës 14:10, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, kanë hyrë në degën e BKT-së, në Koplik, Malësi e Madhe dhe kanë marrë vlera të konsiderueshme monetare.
Nga veprimet hetimore të kryera është dokumentuar me prova ligjore se autorët e sipërpërmendur, për kryerjen e aktivitetit kriminal, kanë përdorur 2 armë zjarri dhe një automjet tip “Golf 3”, pa targa, të cilin pas realizimit të grabitjes, e kanë braktisur dhe e kanë djegur tek vendi i quajtur “Rrethrrotullimi i Bajzës”, Koplik.
Pas djegies së mjetit, nën kërcënimin e armëve, kanë ndaluar në rrugë automjetin me drejtues shtetasin T. L., të cilit ia kanë marrë me forcë automjetin dhe më pas janë larguar më shpejtësi në drejtim të fshatit Shegan, Njësia Administrative Kastrat, ku dhe e kanë braktisur këtë mjet.
Po nga hetimet rezultoi se këta shtetas, armët e zjarrit, pas ngjarjes, i kanë hedhur në ujë, në vendin e quajtur “Syri i Sheganit”, degëzim i liqenit të Shkodrës. Aktualisht është duke vijuar kontrolli nga polumbarët e RENEA-s, për të bërë të mundur gjetjen e tyre. Deri tani, polumbarët kanë bërë të mundur gjetjen e njërës prej armëve të zjarrit, konkretisht një armë zjarri kallashnikov.
Gjatë operacionit, nga kontrolli i banesave të shtetasve të lartpërmendur, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, konkretisht:
Në banesën e shtetasit Bekim Gurraj u gjetën dy radio marrëse-dhënëse si të Policisë, bluzë dhe kapele si të Policisë dhe disa veshje të përdorura nga ky person disa ditën para ngjarjes, kur ka studiuar ambientin e jashtëm të filialit, me qëllim realizimin e vjedhjes.
Po në vijim të operacionit për kontrollin në në banesat e autorizuara nga Gjykata, rezultoi se gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Albin Shabaj, i cili ka lidhje shoqërore me autorët e dyshuar të grabitjes së bankës, u gjetën dhe u sekuestruan 9 kilogramë kanabis.
Për këtë u arrestuan në flagrancë vëllezërit Albin Shabaj dhe Altin Shabaj, si dhe babai i tyre, Ermir Shabaj, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Ndërsa gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Ramiz Nikdukaj, 64 vjeç, banues në Koplik, u zbulua një ambient i përshtatur për kultivim të bimëve narkotike nëpërmjet llambave. Në banesën e këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan rreth 22 kilogramë kanabis sativa, 455 bimë narkotike të kultivuara në ambientin me llamba, si dhe 245 bimë të tjera narkotike të kultivuara në oborrin përreth banesës së këtij shtetasi.
Shtetasi Ramiz Nikdukaj u arrestua në flagrancë, për veprat penale “Kultivmimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim dhe “Vjedhja e energjisë elektrike.”
U arrestuan në flagrancë edhe shtetasit A. L, 43 vjeç, banues në Cërrik, Elbasan, dhe B. K., 64 vjeç, banues në Cërrik, Elbasan, pasi u kapën në flagrancë duke punuar në ambientin në të cilin kultivoheshin bimët narkotike, me anë të llambave.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi Almir Nikdukaj (djali i Ramiz Nikdukaj), dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasja E. N.(vajza e shtetasit Ramiz Nikdukaj)
Si dhe u proceduan në gjendje të lirë, për shpërdorim detyre, 2 elektricistë të zonës, shtetasit P. I. dhe G. B.
Dua të garantoj qytetarët e qarkut Shkodër se strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe me mbështetjen e Departametit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, po vijojnë hetimet intensive, me grupe të dedikuara hetimore të përbëra nga specialistët më të mirë që ka Policia e Shtetit, me qëllim grumbullimin e provave, për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorëve.
Në këtë kuadër, ftojmë qytetarët që duan dhe që zbatojnë ligjin, të ndihmojnë strukturat e Policisë, duke dhënë çdo informacion të vlefshëm që do t’i shërbente zbardhjes së ngjarjeve kriminale. Policia e Shtetit ju garanton anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm dhe profesional.