Rezultatet jo të mira zgjedhore që po dalin nga kutitë e votimit për palët politike po prodhojnë tension dhe dhunë në disa prej qendrave të numërimit të votave.
Sherri më i fundit që ka plasur pak më parë ka qenë përplasja fizike tek shkolla “1 Maji” në kryeqytet.
Nga sa mësohet, ka pasur përplasje deri në grushte e konfrontime fizike tek shkolla “1 Maji” mes komisionerëve dhe numëruesve.
Dy apo tre persona janë shoqëruar nga policia e në ambientet e shkollës ka qenë edhe kandidatja për deputete, Orjola Pampuri.
Ndërprerja e numërimit ka qenë shkaku i përplasjes dhe më pas ka ardhur policia, në pjesën që ndahet Unaza me ish-Uzinën. Përplasja ka qenë me karrige ose me sende rrethanore, duke degraduar deri në konflikt fizik.
Deri më tani bëhet fjalë për një përplasje mes një simpatizanti të PD-së dhe një vëzhguesi të PS-së.
Kandidatja për deputete e PD-së Orjola Pampuri, foli për gazetarët në lidhje me dhunën brenda KZAZ-së në zonën e lagjes “Ali Demit” në Tiranë. Pampuri tha se, dhuna u shkaktua nga dy persona të paidentifikuar që ishin futur në brendësi të KZAZ-së me mjet identifikimi.
Sipas saj, personat e paidentifikuar dhunuan komisionerin e PD-së dhe një të afërmin e tij.
“Kur futën numëruesit tanë në KZAZ gjetën dy persona me mjet identifikimi nga KQZ, të cilët nuk njiheshin as nga PS dhe as nga KQZ. Janë persona të paidentifikuar për të cilët kemi njoftuar policinë për këtë”,- tha Pampuri.
Pak më parë, Abcneës.al publikoi pamje ekskluzive nga dhuna në brendësi të KZAZ-së në shkollën “1 Maj” ku dukej se gjatë përplasjes janë përdorur edhe karrige.
/Priza.al/