Një histori e pabesueshme: “Më deshën 30 vite për të kujtuar se jam abuzuar seksualisht”

Pas tri dekadave, një grua rikujton një prej momenteve më traumatike të jetës dhe merr guximin ta ndajë me të gjithë përvojën e saj në revistën “Cosmopolitan’”. Gabby, e gjendur në zyrën e terapistes së saj tregon se si krejt papritur u kujtua se në fëmijërinë e saj është abuzuar seksualisht.

Ajo rrëfen se ishte shtrirë në divanin e zyrës së terapistes dhe i kishte ngulur sytë në tavan. Së bashku me terapisten, kishin zbuluar një mënyrë shumë të mirë për të treguar ngjarjet jetësore: të mos shiheshin në sy. Kjo e ndihmonte pacienten të ndihej më pak e depërtueshme dhe e prekshme nga traumat e saj, si dhe pikërisht kjo taktikë e ndihmoi që pas shumë kohësh në terapi, të fliste për ndjesitë që nuk i kishte ndarë kurrë me të tjerët. Paritur, narratorja e kësaj historie, e quajtur Gabby, tregoi se gjatë gjithë jetës së saj është ndjerë sikur kishte përfituar nga të tjerët, edhe kur bëhej fjalë për seksin.

Bashkëbiseduesja i tha se kjo mënyrë të shprehuri e bënte të mendonte se Gabby kishte përjetuar një histori abuzimi seksual. Menjëherë Gabby reagoi sikur e pickoi diçka, por u kujtua mbi një ngjarje që mendja e saj e kishte harruar. Një kujtim i largët kishte ndikuar në çdo fushë të jetës së saj dhe trauma qe aq e madhe, sa truri e saj e kishte rrënjosur thellë. Asaj iu kujtua abuzimi seksual që kishte përjetuar në fëmijëri. Pëllëmbët e duarve iu djersitën, trupi iu mpi dhe dukej sikur nuk përkiste më në atë dhomë. Kishin mbetur vetëm pak minuta nga përfundimi i seancës, kur terapistja e kapi nga supet, duke thyer kufirin fizik mes pacientes dhe terapistes. “Do të të telefonoj sapo të mbaroj seancën. Ti nuk je vetëm. Unë jam këtu”, i tha Gabby-t, e cila tashmë ndihej e tmerruar.

Pasi doli, shkoi në një dyqan dhe hyri drejt e në dhomën e veshjes, ku qau me dënesë. Më pas, telefonoi miken e saj Elisa-n, e cila punonte me persona që kishin përjetuar trauma apo përballeshin me varësi të ndryshme. E dinte shumë mirë që ajo do ta ndihmonte.

“Elisa, sapo u kujtova! Në fëmijëri, jam abuzuar seksualisht”, – i tha mes lotësh.

“Gabby, e kam dyshuar përherë”, – ia ktheu mikja e saj dhe papritur, Gabby u ndie e lehtësuar. Tashmë po e kuptonte pse kishte qenë e varur nga substancat narkotike, pse punonte pa fund, apo pse i stepej një lidhje të vërtetë romantike. Gjithsesi, sapo mbërriti në shtëpi, i gjithë lehtësimi u zhduk, duke ia lënë vendin dëshpërimit. Gabby telefonoi terapisten, e cila i shpjegoi se kishte rikuperuar një kujtim të shkëputur.

Disa ditë më vonë, Gabby la një seancë tjetër me terapisten, këtë herë përmes telefonit. Ndërkohë që e telefononte, ndihej e paralizuar nga frika. Terapistja e pyeti nëse kishte ndonjë kujtim të ri nga ngjarja dhe Gabby rrëfeu se në vetëdijen e saj, ende nuk e kishte rikuperuar të gjithë përvojën, rrjedhimisht, nuk dinte shumë detaje. Ajo s’mbante mend saktësisht çfarë ndodhi apo kush ishte personi që e abuzoi. Thjesht, ishte mëse e sigurt që kishte ndodhur. Tanimë, kishte çelur një derë të re, nga e cila kishte frikë, por edhe kuriozohej.

Shumë shpejt, nisi të kryente terapi në grup dhe e kuptoi se kishte shumë gra që kishin përjetuar të njëjtën traumë. Mësoi edhe se truri ka një mori mënyrash me të cilat përballon traumat, ndonjëherë edhe duke i harruar ato. Truri thjesht shkëputet nga e tashmja. Në rastet e traumës me “T” të madhe, shkëputja është edhe më e fortë, ndonjëherë edhe fshihen komplet nga memoria e viktimës.

E gjithë jeta e Gabby-t mori kuptim, por edhe u trondit në çdo dimension të saj. Terapistja e ndihmoi që të kuptonte pse iu deshën plot tri dekada që të kujtonte traumën e saj, gjithsesi e gjithë puna që bënë së bashku, yoga, meditimi, si dhe dëshira për të qenë versioni më i mirë i vetes, e ndihmuan të kujtonte gjithçka.

Gabby e pranon se sot e sheh qartë se si një forcë e madhe dashurie i riktheu shpresën dhe e shëroi fëmijën e saj të lënduar nga personi që e lëndoi kaq shumë kur ishte thjesht një vogëlushe.

Burimi:Cosmopolitan

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *