Kujtimet e ngjarjet, ndërhyrjet dhe veprimet, sukseset e dështimet, dëshirat dhe mundësitë… Të gjitha të përmbledhura nga Alfred Moisiu në një libër për Presidencën 2002-2009 do të jenë si udhërrëfyes për një tjetër President të vendit.
Alfred Moisiu, parathënien e librit të tij “Midis Nanos dhe Berishës”, Presidentit të ardhshëm Bajram Begaj, ia dha dje në formë këshille për mandatin e ri presidencial. “Kujtimet e mia janë kujtime të një Presidenti që, as ditën e parë dhe as të fundit, nuk erdhi në detyrë për të përfituar nga lartësia zyrtare e postit, por si në ditën e parë edhe në të fundit i shërbeu me besnikëri qytetarëve dhe përgjegjësive që burojnë nga detyra e lartë”.
Kështu shprehet në krye të librit të tij me kujtime “Midis Nanos dhe Berishës”, për të cilin ish-Presidenti Moisiu e e diskutoi gjatë takimit të djeshëm me kreun e ri të shtetit me qëllim që të përfitojë nga përvoja e tij e mëparshme, si kryetar shteti.
Bajram Begaj nga ana e tij e shfrytëzoi ditën e parë si President për të marrë këshilla pikërisht nga një tjetër ishushtarak që drejtoi Presidencën e Shqipërisë. I zhveshur me dekret Presidencial nga roli i tij si ushtarak, Bajram Begaj dëgjoi nga afër këshillat e Moisiut, mes të cilave se si të njohë mirë klasën politike dhe të qëndrojë jashtë lojërave të saj politike. Kurse ish-Presidenti Moisiu u shpreh se Begaj ka një integritet për të ruajtur interesat e kombit dhe shqiptarëve.
Z. Moisiu, takimin e parë si President, z. Bajram Begaj e zhvilloi me ju. Si ishte takimi mes një ish-Presidenti me një Presidenti te ri?
Një takim shumë miqësor. Ishte një takim shumë i sinqertë mes nesh.
E kërkoi z.Begaj takimin me ju?
Po, ishte kërkesë e tij dhe unë e pranova me shumë kënaqësi takimin me të.
Njiheni prej kohësh bashkë…?
Po ka shumë vite që njihemi bashkë.
Kush është e përbashkëta juaj me Presidentin e ri Bajram Begaj?
E përbashkëta jonë përveç faktit se Begaj vjen në krye të shtetit dhe pritet të marrë detyrën muajin e ardhshëm është fakti se të dy vijmë nga karriera ushtarake.
Sa zgjati takimi…?
Rreth një orë e gjysmë.
Takoheshit me z. Begaj më parë? Ruanit kontaktet me njëri-tjetrit?
Ne njihemi bashkë prej vitesh, por kohët e fundit kontaktet mes nesh kanë qenë më të shpeshta.
Për cilat arsye kontaktet ishin më të shpeshta kohët e fundit…? Ishit në dijeni të zgjedhjes së tij në postin e kreut të lartë të shtetit?
Jo, nuk isha në dijeni. E mësova në momentin që e deklaroi Kryeministri Edi Rama emrin e Bajram Begajt.
Për çfarë flasin zakonisht dy ish-ushtarakë..? Çfarë biseduat pasi nuk besoj se karriera ushtarake ka zënë gjithë hapësirën e bisedës…?
Sigurisht. Ne folën edhe përvojën time 5-vjeçare në krye të shtetit shqiptar. Diskutuan për pozicionin e kreut të shtetit dhe rolin e tij në një situatë vazhdimisht të tensionuar politike.
Çfarë këshille i dhatë Presidentit të ri?
I fola për përvojën time. I dhurova edhe librin që kam bërë “Midis Nanos e Berishës” që përshkruan gjithë periudhën e Presidencës sime, me problemet politike e negative, përplasjet që kam pasur dhe kështu me radhë. I thashë se është e rëndësishme që të njohë klasën tonë politike. I kujtova parathënien në librin tim. “Kujtimet e mia janë kujtime të një Presidenti që, as ditën e parë dhe as të fundit, nuk erdhi në detyrë për të përfituar nga lartësia zyrtare e postit, por si në ditën e parë edhe në të fundit i shërbeu me besnikëri qytetarëve dhe përgjegjësive që burojnë nga detyra e lartë”.
Përmes tij, ka mundësi t’i njohë përfaqësuesit e kësaj klase politike, çfarë përfaqësojnë ata, sa e kryejnë ata detyrën, sa e respektojnë Kushtetutën e vendit… Është e rëndësishme që të qëndrojë jashtë lojërave politike të kësaj klase politike dhe të përkushtohet vetëm te ushtrimi i detyrës, duke zbatuar vetëm Kushtetutën e Republikës, duke i shërbyer vendit dhe jo partive politike. Me keqardhje e them se kjo klasë politike ka dështuar.
Në ç’kuptim thoni që kjo klasë politike ka dështuar…?
Kjo klasë politike nuk i ka shërbyer vendit, por vetes së saj. Ka bërë shumë pak për njerëzit dhe shumë më tepër për veten e saj. Përfaqësuesit e saj kanë menduar se si të pasurohen për veten e vet, duke ndërtuar vila, ndërkohë që për popullin nuk bën asgjë. Me çfarë i bën këto vila? Ata kanë bizneset e tyre fitimprurëse, duke shfrytëzuar postet shtetërore. Unë për vete gjatë gjithë jetës sime i shërbeva atdheut, zbatova Kushtetutën e Republikës dhe nuk munda ta kem një vilë. Jam aty ku kam jetuar prej vitesh. Ndaj, me çfarë u ndërtuan vilat e tyre? Është e qartë, duke abuzuar me detyrën dhe pushtetin. Ndaj ka shumë lojëra politike nga të cilat duhet qëndruar jashtë tyre.
Këta lloj politikanësh gjenden në të dy kahet e politikës?
Po, po. Gjenden në të dy krahët e politikës. Shpreh keqardhjen për këtë. Pushtetari duhet të jetë në shërbim të qytetarit dhe jo të mendojë se si të pasurojë veten dhe familjarët e tij në kurriz të shqiptarëve.
Besoni se Presidenti i ardhshëm do të qëndrojë jashtë këtyre “lojërave politike” që ju përmendni…?
Patjetër, sepse është një njeri që i ka shërbyer vendit me përkushtim dhe ndershmëri gjatë karrierës së tij qoftë në mjekësi apo karrierës ushtarake. Kam besim të plotë se të njëjtën gjë do të bëjë edhe përgjatë 5 viteve të ardhshme në detyrën e kryetarit të ri të shtetit.
Çfarë meraku kishte z. Begaj? Çfarë e shqetësonte atë në nisje të mandatit Presidencial?
Gjerat që përmenda me lart. Një aspekt është Reforma në Drejtësi. Ky sistem duhet të ketë një skanim, pasi u pa shumë mirë se si funksiononte. Gjërat dolën në pah përmes vetingut. U bë një punë shumë e mirë. Kjo reformë po ecën në rrugën e duhur dhe me mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së dhe vet Presidenti i ardhshëm besoj se do të jetë një mbështetës i fortë i kësaj reforme.
Si e vlerësoni presidencën e drejtuar nga z. Ilir Meta?
Unë nuk e kam zakon që të flas për pasardhësit e mi. Ndaj më vjen keq, por nuk u jap dot një përgjigje për këtë pyetje.
Çfarë e karakterizon Presidentin e ri? Ku ndryshon z. Begaj nga paraardhësit e tij…?
Z. Begaj është njeri shumë i zgjuar. Është shumë i matur. I apasionuar pas detyrave që i caktohen. Gjithmonë ka qenë në shërbim të vendit dhe kam bindjen e plotë se i tillë do të jetë edhe gjatë ushtrimit të detyrës së kreut të shtetit për 5 vitet e ardhshme. Begaj do të jetë një President i mirë, për vetë faktin jo vetëm se bisedova me të dhe pashë mendimet e tij, integritetin e tij. Sepse ka shumë rëndësi integriteti i Presidentit të Republikës aq më tepër në kushtet e politikës shqiptare, pasi këtu “të rrëmbejnë” për t’i zgjidhur problemet si i do njëri apo tjetri. Madje disa herë edhe në shkelje të kushtetutës, edhe mbi ligjin. Por, z. Begaj mu duk shumë pozitiv dhe krijova një bindje që ky zotëri do ta kryejë këtë detyrë ashtu siç duhet në interes të popullit dhe të gjithë Shqipërisë. Unë jam optimist se vërtetë do të jetë një President i mirë. Do ta mbroj Kushtetutën.
Sa do t’i shërbejë përvoja e tij si ushtarak në krye të shtetit?
Z. Begaj mu duk njeri me integritet dhe që ka synime të qarta në detyrën e tij. Ka një integritet për të ruajtur interesat e kombit dhe popullit tonë. Jam i bindur se ai nuk hyn në pazare. Ka sens patriotik dhe kjo është e rëndësishme te një President.
A ishte i shqetësuar z. Begaj për marrëdhënien e vështirë presidencë-qeveri?
Të them të drejtën, nuk folëm për këtë çështje. Ajo që mund të them është se Presidenti i ri është i përkushtuar në zbatimin e detyrës së lartë shtetërore.
Kryeministri Edi Rama, pas vendimit të Kryesisë së PS-së për Bajram Begajn si President, u shpreh se e Alfred Moisiu na tregoi se si duhet të jetë Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Si u ndjetë…?
Ndjehem i vlerësuar. Faleminderit Kryeministrit. Unë gjithë jetën time jam përpjekur të përmbush detyrimet e mia në çdo detyrë që kam pasur si atëherë kur zhvilloja karrierën ushtarake, si atëherë kur drejtova presidencën e vendit tim. E them me bindje se as ditën e parë dhe as të fundit, nuk erdha në detyrë për të përfituar nga lartësia zyrtare e postit, por si në ditën e parë edhe në të fundit i shërbeva me besnikëri qytetarëve të vendit tim dhe përgjegjësive që burojnë nga detyra e lartë si kryetar I shtetit. Punova I pa ndikuar nga politike. Vetëm duke pasur si bazë parimet e Kushtetutës së republikës. Që nga viti ‘55 kam dalë tri herë në pension dhe si atëherë kur kisha poste ushtarake, edhe atëherë kur isha në krye të shtetit zbatova vetëm Kushtetutën. /Panorama