Të riun e zë lisi, një tjetër e godet rrufeja/ Dy të vdekur e dy të lënduar në Kosovë nga moti i keq

Dy persona kanë ndërruar jetë, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të lënduar ditën e djeshme në Kosovë, si pasojë e motit të keq.

Mësohet se rrëzimi i një lisi në rrugën “Vaso Pasha” në Prishtinë i mori jetën një 30-vjeçari nga Podujeva, ndërsa la me lëndime serioze një 30-vjeçare.

“Rreth orës 15:15 është pranuar informata se një lis është rrëzuar dhe ka zënë dy persona. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes. Si pasojë e këtij incidenti, njëri nga të lënduarit mashkull, rreth 30 vjeç ka humbur jetën. Ndërsa, e lënduara tjetër femër po ashtu rreth 30 vjeç është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Moti i keq ka shkaktuar edhe një vdekje tjetër në Kosovë. Mediat kosovare bëjnë me dije se në fshatin Zatriq në Rahovec dy persona janë goditur nga rrufeja ku për pasojë një person ndërroi jetë, ndërsa tjetri është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *