Presidentja e Komisionit të Bashkimit Europian, Ursula von der Leyen ka akuzuar për seksizëm presidentin Rexhep Taip Erdogan dhe Presidentin Këshillit Evropian, Charles Michel. Von der Leyen, bëri deklaratën gjatë fjalimit që mbajti dje në Parlamentin Europian. Ajo hodhi akuza për seksizëm, pas takimi me Erdogan, ku u veçua nga burrat e tjerë dhe u ul në divan e jo në karrige si Erdogani dhe Charles Michael.
Gjatë fjalimit të djeshëm ajo tha: “Kjo ndodhi sepse unë jam grua”. Në rrëfimin e saj më të detajuar të incidentit që u bë i njohur si “Sofagate”, ajo tha se priste të trajtohej si Presidente e Komisionit Evropian, gjë që nuk ndodhi.
“Unë nuk mund të gjej justifikime për mënyrën sesi u trajtova në traktatet e BE, kështu që duhet të konkludoj se kjo ndodhi sepse unë jam një grua. A do të kishte ndodhur kjo nëse do të kisha veshur një kostum dhe një kravatë? Unë u ndjeva e lënduar, u ndjeva dhe e vetme si grua dhe si evropiane,” tha von der Leyen.
Në fjalimin e tij në Parlamentin e BE, Michel kërkoi falje për atë që ai e quajti si “incident protokolli”. Ai u zotua për mbështetjen e tij totale, të plotë dhe absolute për gratë dhe barazinë gjinore dhe tha se do t’i shtynte vendet anëtare të bëjnë përparim në çështjet e barazisë gjinore, të tilla si transparenca e pagave dhe prania e më shumë grave në bordet e kompanive.