UÇK paralajmëron: Parlamenti do përballet me pasoja nëse voton Projektligjin për pagën minimale

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, ka paralajmëruar deputetët e Kuvendit të Kosovës, se do të përballen me pasoja nëse e votojnë Projektligjin për pagën minimale.

Klinaku shkroi në Facebook të hënën, se ky projektligj është diskriminues ndaj kategorive të luftës.

“Thirrje deputetëve të pozitës dhe opozitës. Mos e miratoni ligjin diskriminues ndaj kategorive të luftës, sepse do t’i bartni pasojat edhe ju sikur Qeveria. Dyfytyrësia e Glauk Konjufcës. Në njërën anë futet në rend dite projektligji kundër veteranëve, e në anën tjetër shkon t’i vizitojë veteranët që gjenden në paraburgim në Hagë”, shkroi Klinaku.

Ai tha se nëpërmjet projektligjit, Qeveria po përpiqet t’i heqë veteranët nga lidhja me pagën minimale.

“Ju duhet që të jeni në kontakt me degët tona në mënyrë që kur ju thërrasim të dilni sa më masovikisht. Nëse ky pushtet e ndryshon ligjin, ne ju thërrasim për protestë ku do të qëndrojmë aty deri në realizimin e të drejtave tona”, shkroi ai.

Të hënën e kaluar, veteranët protestuan para Kuvendit të Kosovës, me kërkesën që pensioni i veteranit të përfshihet të Projektligjin për Pagën Minimale. Projektligji nuk kaloi për shkak të mungesës së kuorumit në Kuvend, ndërsa pritet të votohet këtë të martë.

Në projektligjin për pagën minimale, veteranët nuk janë përfshirë. Më herët, pensioni i veteranëve ishte i lidhur me pagën minimale. Pushteti thotë se ndarja mes pensionit dhe pagës minimale është bërë para pesë vjetësh.

Me projektligj, parashihet që paga minimale të rritet në 264 euro bruto.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *