Zgjedhjet/ Kryemadhi i kërkoi falje, Meta vendos: Më 24 korrik 2022 rikthehem të marr kartën e anëtarësisë së LSI

Presidenti Meta ka lajmëruar se në 24 korrik 2022 do të rikthehet e do të marrë sërish kartën e anëtarësisë së LSI-së. Kjo datë shënon dhe fundin e mandatit 5-vjeçar të Metës si President.

Kreu i shtetit falënderoi kryetaren e LSI-së për reflektimin pasi Monika Kryemadhi kërkoi ndjesë për djegien e mandateve. Meta po ashtu ka shprehur keqardhje për tjetërsimin masiv të votave, por shton se një gjë e tillë ishte e pritshme duke shtuar se nuk u morën masat për parandalimin e krimit të rëndë zgjedhor.

Deklarata e plotë

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta falenderon Kryetaren e LSI, znj.Monika Kryemadhi për reflektimin e saj lidhur me lënien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve vendore, që e mbifuqizuan pushtetin e Kryeministrit dhe i lehtësuan bërjen e shumë ligjeve korruptive me porosi dhe në interes vetëm të oligarkëve dhe blerjes së zgjedhjeve.

Presidenti Meta vlerëson fushatën e ndershme dhe model të LSI dhe sidomos rreth 110 mijë qytetarët, të cilët i rezistuan presionit të mafies, bandave, diskriminimit mediatik, survejimit dhe presioneve policore.

Presidenti Meta shpreh keqardhjen për tjetërsimin masiv të votave, por kjo ishte e pritshme, për më tepër, që nuk u morrën masat e duhura për parandalimin e këtij krimi të rëndë zgjedhor.

Presidenti Meta në respekt të sakrificave për demokracinë, që ka bërë LSI, i njofton të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e saj se më 24 korrik 2022 do të rikthehet për të marrë kartën e anëtarësisë së LSI dhe do t’u bashkohet përpjekjeve të të rinjve dhe të rejave për Shqipërinë e Shqiptarëve.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *