Dita e sotme i ka gjetur në kaos të gjitha gjykatat në mbarë vendin, kjo pasi avokatët kanë vendosur të bojkotojnë me 4 ditë të gjitha seancat. Mësohet se shkak për këtë është bërë harta e re gjyqësore e vendosur nga KLGJ.Harta e re gjyqësore do t’i vendoë drynin 18 gjykatave në rang vendi, nga ato të shkallës së parë, te gjykatat administrative dhe ato të apelit.
Burime për median bëjnë me dije se vetëm në gjykatat e Tiranës, numri i seancave që janë pezulluar llogaritet të jetë rreth 200.Në këto 4 ditë bojkot numri total pritet që të shkojë rreth 800, ndërkohë që Dhoma Kombëtare e Avokatisë, pretendon se protestat do të vazhdojnë, në rast se nuk do të ketë një reflektim nga ana e Ministrisë së Drejtësisë.
Të vetmet seanca që pritet të mbahen në Gjykata janë ato për dhënien e masës së sigurisë, për shkak të mos cënimit të afateve, si dhe ato për dhënie vendimi, ku prania e avokatëve nuk është e detyrueshme. Sakaq, po bojkotohet edhe në gjykatat e tjera të vendit, si Gjirokastra, Fieri, Kavaja, Korça dhe Shkodra.