Prindërit të cilët dëshirojnë të regjistrojnë fëmijët në kopështe, duhet që që të plotësojnë dokumentacionet brenda dy javëve.
Drejtoria e Përgjithshme e Kopshteve dhe Çerdheve në Bashkinë e Tiranës bën me dije se aplikimet për regjistrimin e fëmijëve në kopshtet publike të Bashkisë së Tiranës për sezonin 2022–2023 bëhen në datat 13–24 qershor 2022, ora 09:00–14:00, në çdo kopsht publik të Bashkisë Tiranë.
Duke qenë se edhe vendet janë të limituara, shumë herë më pak se kërkesa, mundësia e pranimit është e ulët.
Njoftimi i Plotë:
Pas përfundimit të regjistrimit në çerdhet publike, Drejtoria e Përgjithshme e Kopshteve dhe Çerdheve në Bashkinë e Tiranës njofton të gjithë prindërit, fëmijët e të cilëve duan të frekuentojnë kopshtet publike, të kryejnë aplikimin brenda datës 24 qershor “Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve ju njofton se aplikimet për regjistrimin e fëmijëve në kopshtet publike të Bashkisë së Tiranës për sezonin 2022–2023 bëhen në datat 13–24 qershor 2022, ora 09:00–14:00, në çdo kopsht publik të Bashkisë Tiranë.
Aplikimi do të kryhet vetëm për fëmijët të cilët nuk kanë frekuentuar më parë çerdhet publike të Bashkisë Tiranë. Aplikimi do të kryhet pranë kopshtit ku synohet të regjistrohet fëmija. Bashkëngjitur, gjeni dokumentacionin e nevojshëm për aplikim”, citohet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare e, po ashtu, ngjitur edhe në ballinë të janë dokumentet që nevojiten për të gjitha kategoritë, ndërsa për disa të tjera specifike duhen dokumente shtesë që dëshmojnë situatën e tyre.
Bëhet fjalë për një certifikatë personale të fëmijës dhe familjes, vërtetim pune me pagë mujore të pasqyruar të prindit ose kujdestarit ligjor vërtetim për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, si dhe vërtetim banimi. Ky i fundit është edhe kushti primar për caktimin e kopshtit që do të ndjekë fëmija, pasi në jo pak raste, prindërit synojnë t’i afrojnë zakonisht pranë vendit të punës. Gjithashtu, kusht për pranimin e fëmijës është të qenët e dy prindërve në marrëdhënie pune. Si çdo vit, Drejtoria e Kopshteve dhe Çerdheve bën publike një listë kategorish prioritare që përfitojnë përpos vendit në kopsht, edhe shërbim falas.
Më konkretisht, janë gratë kryefamiljare, fëmijët jetimë, ata me aftësi të kufizuara (ose prindër të tillë), të komunitetit rom-egjiptian, ose nga familje që trajtohen me ndihmë ekonomike. Secila nga kategoritë e lartpërmendura, që të përfitojë shërbimin duhet të “bindë” me dokumentacionin përkatës kategorinë së cilës i përket. E gjithë kjo garë bëhet për shumë pak vende të lira, pasi pjesa dërrmuese është e zënë që në krye të herës nga fëmijë që më parë kanë frekuentuar çerdhen.
Këta të fundit, automatikisht regjistrohen në kopsht. Edhe për ta, Drejtoria e Kopshteve dhe Çerdheve kërkon që prindi të aprovojë zgjedhjen e tij, por që nuk konkurron me të tjerët nga jashtë që aplikojnë për herë të parë.