Kreu i Dhomës së Avokatisë në Tiranë, Fatmir Braka, i ftuar në emisionin “Open” në News24, ka folur për bojkotin e avokatëve në gjithë vendin për hartën e re gjyqësore.
Braka tha se bojkoti nuk është shkelur nga asnjë avokat në vend, ndërsa qeveria nuk ka reaguar deri më tani.
I pyetur nga gazetarja Eni Vasil nëse kanë pasur kontakt nga qeveria pas nisjes së bojkotit, avokat Braka theksoi se “Jo, daullet janë në veshë të shurdhër, asnjë kontakt me qeverinë nuk kemi pasur. Madje, është për t’u theksuar se nuk e ka shkelur asnjë nga avokatët bojkotin”.
Më tej, avokati tha se avokatët parashtruan shumë problematika, që krijohen me hartën e re gjyqësore, por sipas tij, asgjë nuk u mor parasysh.
“Ne menduam bojkotin si të vetmen rrugë, në situatën që u ndodhëm, pasi bëmë disa takime, ku nuk u mor parasysh asgjë në 6 takimet në rrethe. Duke qenë se parashtruam shumë probleme, u duk sikur do merrnin parasysh shumë, por e vërteta është që reflektuan vetëm në një që për ne nuk është asgjë, shtuan Gjykatën e Sarandës. Në këtë kontekst, në një mbledhje të hapur me gjithë kryetarët e avokative të rretheve vendosëm bojkotin. Në këto rrethana u bë bojkoti, pasi asnjëherë nuk u dëgjuam. Ky problem nuk ka lidhje aq shumë me avokatët, se sa me qytetarët, sepse bëhet fjalë me drejtësinë, marrjen e drejtësisë. Qytetarët janë plotësisht dakord me ne, sepse bojkoti do të sjellë të mira, nëse do të ketë ndryshime. Është absolute që Shqipëria do të funksionojë me Gjykatë Apeli. Kemi shembull të pastër Gjykatën e Apelit Administrativ, ku u tha se gjyqet do të zgjidhen në Apel për 30 ditë. Shumë e kënaqshme po të ndodhte kjo, por sot unë them se kanë akoma çështje të 2017 që nuk mendohet të hyjnë për gjykim. Është një katastrofë”, shtoi Braka.