MPJ franceze ka publikuar një përgjigje të saj rreth çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën nga konferenca për media që kanë mbajtur zyrtarët në Paris. Bëhet e ditur se kjo temë do të diskutohet më 23 qershor në Samitin BE -Ballkani Perëndimor në Bruksel.
Siç dihet, Komisioni Europian ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur kushtet të parapara me udhërrëfyes, por interpretimi i Francës, që kërkon më shumë luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, është që kjo duhet të bëhet në plan afatgjatë. Çfarë do të ndodhë më 23 qershor do të merret vesh në këtë datë pasi francezët nuk kanë dhënë indikacion se do të pajtohen për heqjen e vizave.
Ministria e Jashtme e Francës ka konfirmuar se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të diskutohet në takimin mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet më 23 qershor në Bruksel.
MPJ e Francës në faqen zyrtare të saj ka publikuar një pyetje, në të cilën thuhet se Kosova e bën me faj Francën se po e ngadalëson këtë proces, si dhe është dhënë përgjigjja për këtë.
“Pavarësisht rekomandimeve të Komisionit Europian, kosovarët nuk kanë viza Shengen. Sipas Prishtinës, Franca është një nga vendet që po e ngadalëson këtë proces. Pse është kështu? A do të trajtohet kjo temë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor”, është pyetja e publikuar në faqen e MPJ-së e shkëputur nga konferenca për media.
Në përgjigje thuhet se samiti do të shërbejë edhe për këtë çështje, raporton Gazeta Express.
“Takimi i 23 qershorit i liderëve nga Bashkimi Europian me atë të Ballkanit Perëndimor do të jetë një shansë për të diskutuar mundësinë që vendet në rajon të përmbushin perspektivën e tyre europiane, ndër temat e tjera. Për sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, kjo çështje është pjesë e një udhërrëfyesi që është miratuar nga Bashkimi Europian, i cili përfshin një sërë kushtesh që duhet të përmbushen efektivisht në afat të gjatë”.
Megjithatë, këto kushte Kosova i ka plotësuar që një kohë të gjatë.
Datën 23 qershor e ka përmendur dje edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në konferencën e përbashkët për media me presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel. Ajo tha se nëse do të ndodhë liberalizimi ose jo është në vullnetin e shteteve anëtare, derisa njoftoi se institucionet e Kosovës janë në kontakte me të gjitha shtetet e Unionit veç e veç, me disa prej të cilave ende s’kanë marrë përgjigje përfundimtare.
Franca dhe Holanda janë dy shtetet më skeptike për procesin e liberalizimit të vizave, përkundër vërejtjet që i ka shprehur Kosova se është shteti i vetëm në Evropë që po izolohet padrejtësisht.