Mbi 33 mijë maturantë në të gjithë vendin do testohen këtë të enjte në provimin e tretë të Maturës Shtetërore në lëndën e Matematikës.
Si përherë, provimi pritet të nisë në orën 10:00 dhe mbyllet në orën 12:30, pra nxënësit kanë në dispozicion për të plotësuar të gjitha pyetjet 2 orë e 30 minuta. Ata duhet të paraqiten në qendrën e testimit, 1 orë e 30 minuta para dhe me mjet identifikues me vete si dhe mjetet shkollore të nevojshme.
Në disa shkolla janë vendosur bllokues valësh në mënyrë që të shmangej kopja me telefon si dhe kishte dedektorë në hyrje për të zbuluar çdo aparat që mund të tentojnë të fusnin nxënësit.
Testi i Maturës në total do të ketë 60 pikë, ku 20 pikë për pyetjet me alternativa dhe 40 pikë pyetjet me zhvillim. Maturanti do të jetë kalues nëse merr minimumi 25 % të pikëve të testit. Sakaq, për të siguruar mbarëvajtjen e provimeve janë vendosur në dispozicion rreth 167 qendra testimi dhe 7 mijë mësues administrues.