Plot 37-vjet nga vdekja e aktorit të madh Sander Prosi.
I papërsëritshmi i kinemasë shqiptare, me role aq të spikatur që mbeten gjatë në kujtesë.
Më 25 mars 1985 Sandër Prosi ndërsa ishte me xhirimet e filmit “Pranverë e hidhur” në qytetin e Durrësit, gjeti vdekjen papritur. Një vdekje enigmë për të cilën është folur me rezervë të madhe, sikur të prekej një e vërtetë që duhej shtyrë në kohë, e për të cilën duhej folur kur të vinte momenti i duhur.
Kur do të ishte ky momenti i duhur?
Nën zë, gjithnjë është thënë se Sandër Prosi vrau veten, u hodh se një nga tentativat e tij e çoi në fund. E kanë thënë kolegë të afërt që nuk kanë pranuar megjithatë ta pohojnë këtë gjë në publik. Në të kaluarën vetëvrasjet nuk duheshin zënë goje, sikur të ishin shprehje e një individualiteti të pavarur, e një lirie personale, e vetvetiu të rrezikshme. Në përgjithësi nuk ka pasur koment dhe shpjegime për to, thjesht nuk ziheshin goje. Sot vetëvrasjet përbëjnë lajm, hollësirat si dhe pse janë të zakonshme për shtypin që ia fut kot, ngaqë i trajtojnë të vetëvrarët si krijesa që s’kanë më të drejta, që janë askush.
Rasti Sandër Prosi do të rrëfehet një ditë kur kultura jonë të ketë jetëshkrues profesionistë, biografë që të tregojnë pa simuluar cili ishte artisti dhe njeriu Sandër Prosi. Diploma e stomatologut në xhep nuk e ka stepur aspak Sanër Prosin. Pasioni që kishte për skenën e bëri që ndonëse i sapokthyer nga studimet në Austri, dhe vetëm pak kohë punë në profesionin e tij që diploma i diktonte, nuk mundi ta linte indiferent teksa dëgjonte për konkursin e Teatrit Komëbtar. Për të vijuar me rolet e tij të paarrira në kinematografi. Pasi Dhaskalin plak askush nuk mund ta shlyejë nga kujtesa.
Ndërsa roli i tij i parë ka qenë ai i Shaqir Agës në komedinë “Prefekti” të Besim Lëvonjës, që u prit mjaft mirë, dhe ku aktori luajti krahas Loro Kovaçit, Mihal Popit, Marie Logorecit etj. Ishte viti 1961 kur ai mori rolin e parë në film si drejtorit të shkollës në filmin “Debatik”. Në filmin “Vitet e para” ai i bëri përshtypje spektatorit për një konkretizim të qartë të personazhit të Abdylit, duke mbetur në mendje të çdokujt për një kohë të gjatë. Sandër Prosi vdiq atëherë kur mund t’i jepte akoma role të bukura skenës dhe ekranit.
U vlerësua me çmime, tituj e medalje, si dhe me titullin e lartë “Artist i Popullit”. U nda nga jeta duke xhiruar metrat e fundit të filmit “Pranverë e hidhur” më 24 mars 1985. Dhe pranvera i hidhur ishte vërtet për të.
Interpretoi në rreth 30 filma, ku krijoi role të tilla që kanë hyrë në fondin e qëndrueshëm të teatrit dhe kinematografisë tonë. Përvoja që ky aktor krijoi dhe përpunoi gjatë këtyre 35 vjetëve në krijimin e mëse 100 roleve, bashkë me përvojën e aktorëve të tjerë të këtyre përmasave, përbëjnë atë “Universitet” nga lindi e u zhvillua shkolla jonë kombëtare e interpretimit skenik e filmik, prandaj tiparet karakterizuese të artit të S. Prosit kanë tërhequr vëmëndjen e kritikëve dhe të shikuesve. Ato janë studiuar e do të vazhdojnë të zbërthehen më tej, mbasi janë të pasura me vlera të mëdha kombëtare. Si të tilla zënë një vënd të rëndësishëm në ndihmesën që teatri dhe filmi ynë japin në thesarin tonë të kulturës përparimtare si dhe në atë të nivelit botëror të interpretimit. Prandaj krijimet filmike të Sandër Prosit zbulojnë jo vetëm vlerat e artit të aktorit në ekran,por edhe mjeshtërinë e tij të lartë skenike.
Për ndihmesën e tij të madhe në zhvillimin e artit tonë skenik e kinematografik ai është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit” me Çmime të Republikës, me urdhëra e medalje.
Jetëshkrimi
Aktori Sandër Prosi u lind më 16 janar 1920 në Tiranë. Gjatë kohës së shkollës së mesme, në Gjimnazin e Tiranës, përgatit dhe vë në skenë dramën e Shilerit, “Vilhelm Teli”, shfaqje që u pengua të shfaqej nga regjimi fashist i kohës.
Për herë të parë interpretoi në vitin 1948 në komedinë “Prefekti” të Besim Levonjës në rolin e Shaqir Agës. Luajti përkrah Mihal Popit, Loro Kovaçit, Marie Logorecit. Më pas vazhdoi me role të tjera nga dramaturgjia kombëtare dhe botërore.
Në teatër ka interpretuar tek “Cuca e maleve”, “Orët e Kremlinit”, “Hamleti”, “Fytyra e dytë”, “Doktori pacient”, “Otello”, “Makbethi”, “Epoka para gjyqit”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Familja e peshkatarit”, “Çatia e të gjithëve”, “Revizori”, “14 vjeç dhëndër”, “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Rrënjët e thella”, “Xhaja Vanja” etj. Pas vitit 1961, rolet e tjera i takojnë kinematografisë në filmat “Debatik”, “Detyrë e posaçme” (1963), Vitet e para (1965), “Horizontet e hapura” (1968), “Guximtarët” (1970), “Gjurma” (1970), “I teti në Bronz” (1970), “Mëngjese lufte” (1971), “Yjet e netëve të gjata” (1972), “Shtigje lufte” (1973), “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1975), “Në fillim të verës” (1976), “Përballimi” (1976), “Fijet që priten” (1977), “Njeriu me top” (1977), “Gjeneral Gramafoni” (1978), “Udha e shkronjave” (1979), “Yje mbi Drin” (1979), “Vajzat me kordele të kuqe” (1980), “Plumba perandorit” (1980), “Plaku dhe hasmi” (1981), “Qortimet e vjeshtës” (1981), “Nëntori i dytë” (1982), “Dora e ngrohtë” (1983), “Kush vdes në këmbë” (1984) dhe “Pranverë e hidhur” filmi i regjisorit Muharrem Fejzo që ai la në mes.