Artan Lame, Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës kësaj radhe ka rritur nivelin e akuzes duke e drejtuar vëmendjen tashmë jo tek arkivistët, por tek kupola drejtuese, kryeministra dhe ministra edhe pse pas 9 vitesh në qeveri, situata me pronat mbetet po e njëjtë. Lame përmes një konference për shtyp, foli për dëmtimin e regjistrave të institucionit që ai drejton në vitet e kaluara. Sipas tij përgjegjës për këtë janë edhe noterët me gjykatësit.
Gjithashtu ai tha se se raporti për Tiranën dhe Durrësin është gati, ku së shpejti do ti dorëzohet Kryeministrisë, që të kryhen hetime dhe të shmangen presionet mbi Kadastrën.
“Regjistrat e dëmtuar janë për zonat në zhvillim të Tiranës si Farka, Ndroqi, Shën Gjergji etj.
Sa i përket përgjegjësisë, ndjehem i lodhur sepse është e thjeshtë të gjejmë fajin tek një punonjës arkivi që ka qenë në punë para 10-15 vitesh.
Nëse i hyjmë anës juridike nuk ka pasur dikë që kujdesej për arkivat. Kush merrte detyrën nuk bënte inventar.
Përgjegjësinë e ka çdo ministër drejtësie bujqësisë, kryeministër, i trajtimit të kthimit të pronave, noter, gjykatës që ka ndihmuar në këtë çmenduri.
Tashmë arkivi i pronave si në Durrës është me sistem kamerash dhe alarmi. Me punonjës që hedhin firmën për çdo dosje me të cilën konsultohet. Edhe raporti për Tiranën si për Durrësin do ti dorëzohet Kryeministrisë.
Kjo po bëhet për dy arsye, e para është që të mund të kryhen hetimet. Për Durrësin janë hapur hetime janë thirrur punonjës dhe drejtoresha për të dhënë informacione.
Kjo është arsyeja e parë pse raporti po dërgohet.
E dyta, për të shmangur presionin e banditëve dhe qokaxhive që do të kërkojnë ama të heq këtë e të vë atë. Pasi raporti është dorëzuar për të ndërhyrë duhet të merresh me Kryeministrinë e Prokurorinë. Kjo më duket e vështirë.
Ne do të vijojmë në këtë rrugë edhe me qytetet e tjera, pasi shembulli i Tiranës dhe Durrësit tregoi se është rritur siguria për pronat. Procesi i kontrollit është i garantuar dhe i siguruar dhe procesi i shërbimit është më i përshpejtuar”, tha Lame.