Vitin e kaluar, Adelajda mendonte t’i jepte një mesazh vëllait të saj. Por fatkeqësia e humbjes së tij e bëri të pamundur diçka të tillë, e cila do të vinte pas një vështirësie që vetë ai po kalonte gjatë asaj kohe. Por një vit më vonë, Adelajda rrëfen humbjen e tij, momentin kur nuk iu ndodh dot pranë teksa jepte frymën e fundit në moshën 24-vjeçare.
Adelajda ndodhej në Itali kur në datën 4 Gusht i vjen një telefonatë shqetësuese nga e ëma e cila e njofton se vëllai nuk ishte mirë dhe ajo duhej të kthehej. Në pamundësi për të gjetur bileta avioni, ajo merr tragetin për të mbërritur në mëngjes, pa e ditur se në orët në vazhdim teksa do të humbte lidhjet virtuale, njeriu i saj i shtrenjtë ndodhej në një shtrat spitali.
Adelajda: Vëllai kishte pësuar hipertermi, temperaturë 43 dhe ka dhënë shpirt në duart e mamit, babit dhe gjyshes. Mjekët bënë të pamundurën për ta shpëtuar, por nuk e shpëtuan dot. Në momentin që vëllai ka qenë duke dhënë shpirt, unë kam qenë duke marrë tragetin. Fatmirësisht, mendoj se Zoti i planifikon disa gjëra. Check-in për tragetin ishte mbyllur dhe kam qenë pasagjerja e fundit që ata kanë lënë të hipë në anije. Rreth orës 3:30-4:00 marr babin në telefon dhe më pyet “ku je?” I them “jam në tren”, nis të më ulërasë e bërtasë “merr biletën e avionit dhe hajde urgjent”. Duke qarë në tren, e kuptova që diçka nuk shkonte, por brenda vetes time nuk e pranoja dot që diçka kishte ndodhur. Nuk e di as vetë si kam hipur në atë traget.
Ndërkohë, postimet në rrjetet sociale për vdekjen e vëllait kishin nisur, por Adelajda nuk mund t’i shihte. Ajo kujton vetëm momentet pa gjumë në sy në rrugën e kthimit.
Adelajda: Atë natë nuk kam fjetur fare, fare. Ka qenë ndër ditët e vetme që i jam lutur aq shumë Zotit, vetëm që ta gjeja tim vëlla gjallë./tvklan