Konfindustria i ka kërkuar qeverisë që të ndryshojë përbërjen e Bordit të Trasparencës. Në një deklaratë zyrtarë, Konfindustria thekson se është e papranueshme dhe e paarsyeshme që vendimet e Bordit, bëhen sipas interesave të subjekteve që tregtojnë hidrokarburet, dhe se vendimet e marra, kanë dëmtuar interesat e qytetarëve.
Më tej ajo i ka kërkuar qevërisë që të krijojë Entin Rregullator të Karburanteve si institucion profesional dhe ky i fundit të jetë në varësi të Kuvendit të Shqipërisë.
Njoftimi i plotë:
Konfindustria kërkon, që qeveria të ndryshojë përbërjen e Bordit të Trasparencës, duke përjashtuar përfaqësuesit e operatorëve të karburanteve si anëtarë me të drejtë vote në vendimmarrje. Është e papranueshme dhe tërësisht e paarsyeshme, që vendimmarrjet të përcaktohen pikërisht edhe nga subjektet, që duhet të jenë objekt vëzhgimi për spekulime të mundshme në treg dhe për të cilët përligjet qëllimi i krijimit të vetë Bordit të Transparencës.
Konfindustria vlerëson, se është domosdoshmëri krijimi i Entit Rregullator të Karburanteve si institucion profesional, i përhershëm dhe në varësi të Kuvendit të Shqipërisë sipas shembujt të ngjashëm të Maqedonisë së Veriut.
Konfindustria vlerëson, se përbërja e deritashme, burimet e njëanshme të të dhënave dhe mungesa e anëtarëve të pavarur dhe profesionistë, krijojnë hapësira të mëdha për interpretim të pasaktë, subjektivizëm dhe korrupsion të tipit “state capture/kapje e shtetit” në vendimmarrjet e Bordit të Transparencës. Roli i deritashëm i tij ka qenë vetëm veprimi si “mburojë shtetërore” ndaj spekulimeve antitreg të operatorëve në dëm të interesit publik, biznesit dhe qytetarëve.
Konfindustria vlerëson, se përfituesit e vetëm të mënyrës së deritashme të punës së Bordit të Transparencës janë :-rritja e sforcuar e të ardhurave për Buxhetin e Shtetit, që për periudhën 5 mujore ka rritur të ardhurat me afër 350 milion euro më shumë nga plani si dhe – kompanitë e karburanteve. Dyshime të arsyeshme ka edhe për fshehje fiskale dhe kontrabandë në vlerë qindra milionë euro/vit në tregun e karburanteve. Të dy palët e mësipërme në mënyrë absurde dhe përtej çdo modeli të janë palët përbërëse të Bordit të Transparencës.
Konfindustria shpreh shqetësimin e saj për rritjen në nivel të ri rekord të çmimit të karburantit në mbi 2.2 euro/litër me vendim të Bordit të Transparencës nga më të lartët në Europë. Çmimet e reja thellojnë edhe më shumë diferencën me vendet e Rajonit, me pasoja shkatërruese për ekonominë kombëtare, biznesin dhe qytetarët.
Konfindustria kërkon edhe njëherë ndërhyrjen e menjëhershme të qeverisë për lehtësimin e ngarkesës fiskale me qëllim uljen e çmimit të karburanteve.