‘Rreth 500 mijë shqiptarë emigruan nga 2010-a deri në 2019-ën’/ Studimi i ekspertëve të Vjenës që sjell fakte tronditëse për Shqipërinë  

Që Shqipëria është boshatisur në dekadën e fundit dhe hemorragjia njerëzore po vazhdon, kjo nuk përbën më një dukuri, por një objekt të mirëfilltë studimor nga institute shkencore në mbarë botën.

Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare i Vjenës përllogariti se nga viti 2010 deri në vitin 2019 janë larguar nga Shqipëria në emigracion rreth 499 mijë persona, në një raport të fundit për migracionin neto të Ballkanit Perëndimor.

Ekspertët i morën të dhënat nga Eurostat për vendet e BE-së dhe nga vende jo anëtare të BE-së. Numri i emigrantëve për Shqipërinë u përllogarit nëpërmjet autorizimeve për lejet e qëndrimit të lëshuara për herë të parë nga këto vende. 56% e lejeve janë dhënë për arsye familjare, 17.5% për punë dhe pjesa e mbetur raportohet për arsye të tjera, ose studimi.

Shqipëria rezultoi me numrin më të lartë të emigrantëve në krahasim me Serbinë, Malin e Zi, Bosnjën, Maqedoninë dhe Kosovën (shih grafikun bashkëngjitur).

Si faktor themelor, ekspertët e Vjenës evidentojnë nivelin e lartë të varfërisë, fenomen që shpjegon flukset e larta të emigracionit sidomos në Shqipëri dhe Kosovë.

Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet me nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë në rajon dhe me nivelet më të larta të varfërisë sipas Bankës Botërore e për rrjedhojë, kanë edhe flukset më të larta emigratore.

Një faktor tjetër janë rrjetet e diasporës, të cilat ofrojnë informacion dhe burime që lehtësojnë emigrimin.

Skemat lehtësuese që vendet perëndimore si Gjermania kanë krijuar për thithjen e krahut të punës janë një faktor tjetër.

Në Malin e Zi emigracioni i dekadës së fundit është tipar i popullsisë së re në moshë. Për të rinjtë e Malit të Zi janë lëshuar rreth 20 mijë leje pune gjatë periudhës 2010-2019, shprehen ekspertët e Vjenës. Shumica e lejeve të punës janë të natyrës sezonale, për punë në ndërtim, turizëm dhe tregti.

Në Serbi, profili i emigracionit tregon për largim të personave mbi të 30-at, kryesisht për qëllime punësimi.

Në Shqipëri ndryshe nga vendet e tjera të rajonit ka emigrim te të gjitha moshave, por është shumë më i theksuar në mesin e grupeve më të reja. Shqipëria përjeton emigracion neto për të gjitha grupmoshat.

Edhe në Bosnjë, emigracioni ka përfshirë të gjithë grupmoshat e popullsisë, por është më i dukshëm tek të rinjtë.

Papunësia e lartë e të rinjve, ribashkimet me familjet dhe arsimi shpjegojnë arsyet për emigrimin në masë të të rinjve.

Shkalla e papunësisë në grupmoshat e reja (15-19 dhe 20-24 vjeç) në vendet e Ballkanit është shumë më e lartë se në ato më të vjetrat.

Llogaritjet tregojnë se në Bosnjë, Serbi, Shqipëri, Kosovë, të rinjtë kishin gjasa të ishin të papunë dy-tre herë më shumë se moshat më të vjetra.

/Burimi: Monitor.al/

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *