Harta e re Gjyqësore, Ligji i Fiskalizimit dhe ndryshimet ne Ligjin për Tatimet mbi të ardhurat, janë sot pjesë e diskutimeve në Tryezën e Partisë Demokratike me profesionistët e drejtësisë.
Në këtë takim i pranishëm është edhe kryetari i PD, Sali Berisha.
Berisha: Harta e re gjyqësore e cila vjen në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin për organizimin e Drejtësisë është Kapaku që i vihet arkivolit në të cilin e mbylli Reforma e Drejtësisë sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Shqipëria kaloi në një proces unik, asnjë vend, asnjë komb, asnjë pushtues nuk ka guxuar t’i shkatërrojë një vendi tjetër sistemin e drejtësisë, siç e shkatërroi reforma e George Sorosit.
Edhe pushtuesit, kanë konventa për fusha të caktuara të cilat janë të detyruar t’i zbatojnë. Reforma shkatërroi me vetingun nga lart poshtë, të kundërshtuar nga opozita, jo se jemi kundër verifikimit të pastërtisë së figurave, por ne kemi qenë kundër metodës nga lart poshtë. Metodë e cila kishte dy probleme të mëdha madhore, atë të vakumit shkatërrimtar për sistemin dhe së dyti atë të futjes së duarve nga lart për sistemin. Mohimi që iu bë shqiptarëve për të pasur një proces të rregullt gjyqësor. Kjo reformë e rrënoi këtë të drejtë. Nuk është proces i rregullt kur t’i pret 10 ose 15 vite kur rrethanat dhe kushtet kanë ndryshuar që nga fillimi i procesit.
Në tryezë pritet të diskutojnë avokatë nga Dhomat e Avokatisë në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Korçë, Lorval Petani, Genc Gjokutaj, Ankelita Çela, Arben Lena, Kryetarja e Dhomës së Ndërmjetësuesve Drita Avdyli, Ylli Manjani avokat, nga Dhoma e Avokatisë në Tiranë.
Organizatorja e tryezës, Kryetarja e Komisionit të Apelimit në PD, Adriana Kalaja thekson se “Objekti i takimit janë diskutime dhe propozime nga profesionistë të fushës mbi sfidat në Sistemin e Drejtësisë si dhe ndikimi i hartës së re gjyqësore, ligji i fiskalizimit dhe ndryshimet e ligjit per Tatimin mbi Te Ardhurat në profesionet e lira”.