Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur gjithashtu me pesimizëm për procesin e liberalizimit të vizave me vendet e Shengenit. Gjatë mbëritjes në selinë e BE-së në Bruksel ajo tha se
shpreson që të arrihet një dakord për liberalizim të vizave për Kosovën, ndonëse nuk dëshiron që të rrisë pritjet.
“Unë sigurisht se shpresoj. Nuk dua të rrisë pritjet, pasi ky proces nuk është më në duar tona. Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret sa i përket liberalizimit të vizave dhe atë qysh para 4 vjetëve e po ashtu i është përgjigjur gjitha shqetësimeve që kanë pasur shtetet anëtare. Është koha që shtetet anëtare të BE-së të përkrahin këtë, pasi është padrejtësi e madhe ndaj njerëzve të Kosovës. Qindra miliona njerëz nga gjithë bota, përfshirë nga Venezuela, kanë liri të lëvizjes. E njerëzit e Kosovës me më pak se 2 milionë banorë nuk e kanë këtë. Ne i kemi plotësuar gjitha kriteret. Komisioni Evropian ka konfirmuar këtë, Parlamenti Evropian e ka thënë këtë. Shtetet anëtare të BE-së duhet të dëgjojnë zërin e njerëzve të tyre që është reflektuar në Parlament Evropian”.
Osmani ka thënë se në Bruksel është për të folur në emër të njerëzve të Kosovës.
Ajo ka shtuar se Kosova ka vetëm rrugën euroatlantike dhe se do ta vazhdojë atë drejtim, ndryshe nga Serbia që po tenton të ecë në dy rrugë, atë të Moskës dhe të BE-së.