Socialistët nisin mbledhjen e firmave për shkarkimin e presidentit, zbardhet mesazhi urgjent që iu është dërguar anëtarëve të grupit

Grupi parlamentar socialist ka nisur mbledhjen e firmave, për të mbështetur propozimin e shkarkimit të presidentit Ilir Meta. Gjatë paradites së sotme, deputetëve socialistë i ka mbërritur një mesazh, ku thuhet se bazuar në disa shkelje të rënda te Kushtetutës, kanë vendosur për procedurën e shkarkimit të presidentit Meta. “Bazuar ne disa shkelje te renda te Kushtetutës sipas parashikimeve te nenit 90, nga ana e Presidentit Ilir Meta përpara dhe gjate fushates zgjedhore, ne konsultim me Kryesine e Grupit Parlamentar kemi vendosur te inicijojme Proceduren e Shkarkimit te Presidentit te Republikes. Per kete qellim ju lutem siguroni prezencën tuaj pranë Zyres se Grupit Parlamentar per te firmosur PROPOZIMIN PER SHKARKIMIN E PRESIDENTIT”.

Kjo lëvizje vjen në një kohë kur presidenti Meta doli në një konferencë të jashtëzakonshme, ndërsa dha paralajmërime të qarta për zgjedhjet. Meta komentoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama për nisjen e procedurave për shkarkimin e tij, duke deklaruar se këto janë shashka synojnë të largojnë vëmendjen nga çështjet e krimit zgjedhor.

Meta e konsideroi deklaratën e Ramës “shashkë”, që përpiqet të largojë vëmendjen nga 88 mijë vota të pavlefshme, që sipas Metës duhet të hetohen, pasi aty luhen disa mandate. “Tani të përqendrohen në këtë çështje. Është e rëndësishme të bëhet një hetim i fletëve të pavlefshme. Një qytetar që shkon të votojë, rri në orë të tëra në radhë, dhe ajo i del e pavlefshme për shkak të marifeteve dhe kalkulimeve. Kjo është e pafalshme, dhe nuk duhet të ndodhë më”.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *