Një 27-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi akuzohet se përndiqte dhe shantazhonte për t’i dhënë para një vajzë.
Shtetasi Klevis Kodra e kërcënonte të renë me pretendimin se do i publikonte disa foto dhe video.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Shantazhi”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 6. Përndiqte një shtetase dhe e shantazhonte, që t’i jepte para për mospublikimin e disa fotove dhe videove, vihet në pranga 27-vjeçari. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, pas kallëzimit të marrë nga një shtetase 22 vjeçe, se një shtetas i kishte marrë shuma të ndryshme parash dhe e shantazhonte vazhdimisht që ti jepte para të tjera, që të mos i publikonte disa foto dhe video, në rrjetet sociale, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e autorit të dyshuar.
Gjatë operacionit policor të koduar “Shantazhi”, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– K. K., 27 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasi K. K. i kishte marrë shuma të ndryshme parash në mënyrë të vazhdueshme, 22-vjeçares, të cilën e përndiqte dhe e shantazhonte vazhdimisht që t’i jepte shuma të tjera parash, për mospublikimin e disa fotove dhe videove që ai dispononte.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.