Akademiku i njohur Rexhep Qosja feston sot 86-vjetorin e lindjes. Lidhur me këtë ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale kryeparlamentarja Lindita Nikolla, e cila ka uruar akademikun për datën e lindjes.
Nikolla shkruan se kontributi i akademikut të njohur është madhor për kombin shqiptar.
“I dashur dhe i respektuar Profesor,
Në ditën e lindjes Tuaj, një ditë e shënuar për Ju, familjen Tuaj dhe shkencën e kulturën shqiptare, Ju shpreh urimet më të përzemërta, shëndet e jetë të gjatë dhe vijim të krijimtarisë Suaj të begatë në shërbim të kombit shqiptar.
Emri dhe vepra e Juaj shkencore, publike e kombëtare kushtuar letërsisë, kulturës, historisë dhe botës shqiptare, emancipimit tonë politik, shoqëror e kombëtar dhe afirmimit të vlerave të qytetërimit shqiptar përbëjnë një kontribut madhor për kombin.
Ju uroj të vijoni këto kontribute, si deri tani, me erudicionin, përkushtimin, patriotizmin, thjeshtësinë dhe madhështinë Tuaj.”, shkruan Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, në letrën e urimit për Akademikun Rexhep Qosja.
Po kush është Rexhep Qosja?
Rexhep Qosja (25 qershor 1936, Vuthaj, Mal i Zi) është historian letërsie, kritik letrar, shkrimtar, publicist, politikan dhe akademik shqiptar. Është anëtar i rregullt dhe korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës,dhe ka qenë i angazhuar në politikën kosovare të pasluftës.
Është autor i disa romaneve të njohura. Qe njëri ndër zërat më të spikatur të dramës moderne shqipe gjatë viteve 1970.
Më 2006 u inkuadrua në një debat për identitetin shqiptar me Ismail Kadarenë. Ka qenë një ndër intelektualët shqiptarë i cili ka ngritur zërin në mbrojtje të figurës së Enver Hoxhës. Në debatin e hapur në vitin 2018 mbi shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, ka mbrojtur tezën e shkëmbimit të territoreve.