Këtë të diel është zhvilluar mbrëmja falënderuese për delegacionet e 150 vendeve të botës, të cilat e zhvilluan Kongresin Zgjedhor të Federatës Botërore të Peshëngritjes në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama u shpreh se kjo tregon respektin për federatën tonë dhe se flet për imazhin e ri të Shqipërisë në botë.
Në fund të fjalës së Ramës, kreu i Federatës i ka dhuruar kryeministrit një dekoratë mirënjohjeje për kontributin e tij në Peshëngritje.
Rama duke i falënderuar, nuk ka kursyer as batutat, duke thënë se në moshën kur ai mund të ngrinte pesha, Pirro Dhima nuk mendoi se ishte një talent.
“Unë e di që nuk e meritoj këtë por e vlerësoj së tepërmi, dhe ka dy mënyra për tu nderuar nga federata juaj, njëra për tu nderuar me medalje dhe tjetra për të qenë kryeministër. Kështu që unë nuk fitoj dot medalje, tepër vonë për këtë gjë, sepse Pirro Dhima nuk mendoi se unë isha talent në atë moshë kur unë mund të kisha ngritur pesha, kështu që faleminderit për këtë dhuratë, do ta mbaj me shumë mirënjohje për Presidentin por dhe për të gjithë ju”, u shpreh Rama.