Kërkojnë dorëheqjen e Bashës nga kreu i PD-së/ Salianji: Flasin këta që nuk kanë bërë një ditë fushatë!

Çdo ditë e më shumë po shtohen zërat që kërkojnë dorëheqjen e Bashës nga kreu i PD-së. Kreu i Këshillit Kombëtar i PD-së, Bujar Nishani, dy ish-sekretarët e përgjithshëm Arben Imami dhe Arben Ristani, po ashtu Edith Harxhi dhe Edvin Kulluri, pjesëtarë të një lëvizjeje për reformimin e PD-së, Indrit Hoxha nga të përndjekurit politikë dhe Bislim Ahmetaj nga studentët e Dhjetorit kanë kërkuar largimin e Bashës. Sipas tyre, prej vitit 2013, Basha e ka drejtuar PD-në pa profesionalizëm dhe pa dinjitet, duke zvogëluar anëtarësinë. Por duket se Ervin Salianji nuk është në të njëjtën linjë.

Salianji i ftuar në ABC, tha se në korrik Partia Demokratike ka zgjedhje për kryetarin e saj, dhe të gjitha qëndrimet do t’i shprehë nëpërmjet votës. Për Salianjin, kërkesa për dorëheqje nuk mund të vijë nga persona të cilët nuk kanë bërë asnjë ditë fushatë për këtë forcë politike.

Pjesë nga biseda:

-Nëse elektorati do të kërkonte dorëheqjen e liderit, do ta pranonit?

Salianji: Në korrik PD ka zgjedhje për kryetarin e saj, dhe të gjitha qëndrimet do t’i shprehë nëpërmjet votës. Ku është parë ndonjëherë të dalin njerëz që nuk kanë bërë një ditë fushatë, të kërkojnë dorëheqjen.

-Ju mendoni që Basha duhet të drejtojë PD?

Salianji: Unë do të respektoj vendimin që do të marrë anëtarësia e PD. Demokratët do të shprehen kur të jetë data e vendosur.

-Ju do të kandidoni?

Salianji: Jo. Nuk kam këtë ambicie.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *