Petkov sërish kandidat për kryeministër në Bullgari

Kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov, i cili nuk arriti të marrë votëbesimin në Parlament, ka dorëzuar sot në Presidencë letrën e dorëheqjes së kabinetit të tij, raportonë mediat bullgare.  Pasi partia “Ka Një Popull të Tillë” (ITN) e kryesuar nga shoumeni Slavi Trifonov, u largua nga koalicioni katërpalësh i kabinetit të Petkov, opozita në vend kishte paraqitur interpelancë në kuvend.

Qeveria e Petkovit ra në votimin e zhvilluar më 22 qershor.

Presidenti bullgar Rumen Radev, i cili e ndjek procedurën kushtetuese, pasi e mori letrën e dorëheqjes së Petkovit filloi bisedimet me forcat politike në vend për qeverinë e re.

Pas takimeve, Radev, mandatin për formimin e qeverisë do t’ia japë sërish grupit më të madh në Parlament, partisë “Vazhdojmë me ndryshimin”.

Petkov i cili dha dorëheqje kishte njoftuar se sërish është kandidat për kryeministër duke e paraqitur të njëjtën listë të kabinetit.

Në rast se kjo parti do të jetë e pasuksesshme në formimin e qeverisë, radhën e ka partia e ish-kryeministrit Bojko Borisov “Qytetarët për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë” (GERB).

Borisov ka njoftuar se partia e tij do ta kthejë menjëherë mandatin.

Nëse dy partitë nuk janë në gjendje të formojnë kabinetin, presidenti do të caktojë një forcë të tretë politike nga Parlamenti për të formuar qeverinë, sipas zgjedhjes së tij, përpara se të caktojë një datë për zgjedhjet e parakohshme.

Në vitin 2021, Bullgaria mbajti tre palë zgjedhje parlamentare.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *