Pasi parlamenti bullgari votoi heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut, Komisioneri për Zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi, tha se konferenca e parë ndërqeveritare e BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë mund të mbahet në ditët në vijim. Ai gjithashtu shtoi se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë ofruar gjithçka që kërkohet prej tyre. Ata janë gati, ashtu siç duhet të jetë dhe BE-ja. Varhelyi theksoi se ka një vendim tashmë që është miratuar nga Parlamenti bullgar dhe se të gjitha pengesat janë tejkaluar, ndaj BE-ja duhet të ecë përpara.
“Përpjekje të shumta janë bërë në tejkalimin e mosmarrëveshjeve mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Jemi pothuajse aty. Tani është momenti që të gjithë aktorët të bëjnë hapin e fundit. Kam shpresa të larta se konferencat ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mund të mbahen brenda pak ditësh. Të dy vendet kanë zbatuar gjithçka që u është kërkuar dhe janë gati. Gati duhet të jemi edhe ne. Tani kemi një zgjidhje në tavolinë, të miratuar nga parlamenti bullgar kështu që të gjitha pengesat janë tejkaluar. Europa duhet të ecë përpara,”-tha Varhelyi.