Si në kohën e Leninit/ ‘Falimenton’ Moska, nuk paguan dot borxhin e jashtëm

Për të parën herë Rusia nuk arrin të paguajë borxhin e jashtëm. Mediat e huaja bëjnë me dije se Moska nuk ja ka dalë të shlyejë borxhin prej 100 milionë dollarë interesa për dy obligacione gjatë një periudhe 30 ditore lëshimi që i ishte bërë.

Lidhur me këtë, Shtëpia e Bardhë ka reaguar duke thënë se masat e ashpra perëndimore kanë filluar të japin rezultate.

“Njoftimet  mbi këtë dështim të Rusisë për të shlyer borxhin për herë të parë që nga 1918-ta, tregojnë sesa i fortë ka qenë reagimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj, dhe çfarë ndikimi dramatik ka pasur ai mbi ekonominë ruse”, tha një zyrtar i lartë i administratës amerikane që po merr pjesë në samitin e G7-tës në Gjermani.

Vetë Rusia vazhdon ta mohojë si informacion, duke pretenduar se pagesat janë shlyer prej datës 27 maj por paratë janë bllokuar nga Euroclear, një kompani shërbimesh financiare me bazë në Belgjikë, e specializuar në shlyerjen e transaksioneve të letrave me vlerë.

“Ky është një ngërç që shkaktohet prej sanksioneve perëndimore kundër vendit tone dhe nuk është problemi ynë”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov.

Një mungesë e tillë historike e aftësisë për të paguar ishte deri diku e pritshme, duke qenë se për shkak të sanksioneve, gjysma e rezervave valutore të Rusisë jashtë kufijve ishin ngrirë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *