Kremlini ka mohuar raportet se Rusia ka dështuar në borxhin e saj të jashtëm. Sipas agjencisë Interfax, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se ata “nuk ishin dakord” me raporte të tilla. Pagesa do të duhej të kryhej në maj. Fakti që fondet u bllokuan nga ofruesi i shërbimit Euroclear për shkak të sanksioneve perëndimore kundër Rusisë “nuk është problemi ynë”, tha Peskov. Një periudhë 30-ditore gjatë së cilës interesi ishte i detyrueshëm për dy obligacione shtetërore në valutë, skadoi gjatë natës. Bëhet fjalë për një pagesë prej njëqind milionë dollarësh amerikanë (94.7 milionë euro).
Rusia thekson se është ekonomikisht e aftë dhe e gatshme të paguajë borxhin. Megjithatë, sanksionet perëndimore po e pengojnë pagesën, pasi Moska nuk mund të aksesojë asetet e saj të huaja të ngrira në Perëndim dhe as të transferojë rezervat e brendshme tek institucionet e huaja financiare. Sipas Departamentit të Thesarit në Moskë, kësti për interesin u pagua më 20 maj, pesë ditë para hyrjes në fuqi të ndalimit të pagesave ruse të lëshuar nga agjencia rregullatore e Departamentit të Thesarit të SHBA-së, OFAC. Prandaj, ministri i financave Anton Siluanov e quajti lajmin një “farsë”.
Moska po noton në para – por nuk mund t’i transferojë ato
Pasi skadoi një periudhë pagese dhe mospagimi të dielën në mbrëmje, disa investitorë tajvanezë u ankuan se nuk kishin marrë ende asnjë nga pagesat e interesit të rënë dakord për obligacionet e tyre të qeverisë ruse. Afati i fundit për të paguar 100 milionë dollarë në interes për dy obligacione në valutë të huaj skadoi të dielën – 29 milionë dollarë për një obligacion në euro të vitit 2036 dhe 71 milionë dollarë për një obligacion në dollarë që maturohet në vitin 2026. Në fakt, Rusia duhej të bënte pagesat më 27 maj, por nuk ndodhi. Më pas filloi një periudhë mospagimi prej 30 ditësh, e cila tani ka përfunduar. Meqenëse nuk jepet një afat i saktë në prospektin e obligacioneve, avokatët besojnë se është e mundur që Rusia të ketë dhe pak kohë.
Që nga pushtimi i Ukrainës i 24 shkurtit , sanksionet gjithëpërfshirëse e kanë lënë Rusinë jashtë sistemit financiar global. Që atëherë, Moska ka luftuar për të bërë pagesa për obligacionet e papaguara që arrijnë në 40 miliardë dollarë, pavarësisht miliarda në rezerva valutore. Kremlini ka deklaruar vazhdimisht se nuk sheh asnjë arsye për mospagim. Megjithatë, për shkak të sanksioneve, nuk është e mundur të transferohen para te mbajtësit e obligacioneve. Prandaj, Perëndimi akuzohet se dëshiron ta detyrojë vendin në falimentim artificial.