Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka inspektuar punimet në lagjen e re “5 Maji” një nga kantieret më të mëdha të Programit të Rindërtimit.
Veliaj tha se askush nuk mund ta ndalojë zhvillimin dhe progresin e qytetit të Tiranës. E rëndësishme sipas tij është që të mbahen premtimet dhe të ecet përpara me punë.
Sakaq shtoi se në fokus është ndërtimi i një komuniteti dhe jo vetëm ndërtesa, pasi duhet të ketë hapësirë, gjelbërim dhe shkolla.
“Jam shumë krenar për punën e jashtëzakonshme që është bërë në lagjen “5 Maji”. Këtu nuk po ndërtojmë vetëm ndërtesa, por po ndërtojmë komunitet, hapësira, parkingje, gjelbërim dhe shkolla. Do të jetë padyshim lagjja më e bukur e Tiranës. Shumë njerëz do të lënë shtëpitë që i prishi tërmeti, për apartamentet e Boerit. Sigurisht, puna nuk ka shkuar fjollë, sidomos në Kombinat, ku kemi pasur një pafundësi gjyqesh absurde, kryesisht të stisur dhe të yshtur nga politika, po ashtu edhe te ‘’5 Maji”, me disa personazhe të OFL-së dhe çudira nga këto çudirat shqiptare, ku njerëz të implikuar në krime bllokojnë progresin e qytetit, apo parti humbëse sistematike i varin shpresat e tyre te sabotimi.
Por, sabotimi nuk funksionon. Nuk funksionoi as te këndi i lodrave, as te sheshi, nuk funksionoi as te Astiri – shikoni si është çliruar hyrja e Tiranës ende pa përfunduar vepra, nuk funksionoi as te bllokimi që iu bë shkollës “Sami Frashëri”, tha Veliaj.