Çmimet në tregun e pasurive të paluajtshme u rritën më tej në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar. Sipas Bankës së Shqipërisë, indeksi Fischer i çmimeve të banesave për të gjithë territorin e vendit u rrit me 6.2% krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm dhe me 11.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në veçanti për Tiranën, çmimet u rritën me 2.3% me bazë gjashtëmujore dhe 8.9% me bazë vjetore.
Ky vrojtim konfirmon perceptimin se çmimet e pronave vazhdojnë të rriten, pavarësisht goditjes së fortë në ekonomi që solli pandemia. Pavarësisht rritjes së çmimeve, vrojtimi i bankës së Shqipërisë evidentoi se tregu po jep sinjale të përziera, deri diku edhe paradoksale, në kuptimin e ecurisë së kërkesës dhe ofertës.
Nga krahu i kërkesës, vrojtimi tregoi se kërkesa nga individët për blerjen e banesave ka qenë disi më e dobët, pavarësisht kushteve të lehtësuara të kredisë për blerjen e pasurive të paluajtshme nga bankat tregtare. Teprica e kredisë për blerjen e pasurive të paluajtshme është rritur. Stoku i kredisë për blerje pasurish të paluajtshme nga individët arriti në 127.4 miliardë lekë në fund të vitit 2020 dhe ishte rreth 9% më i lartë krahasuar me një vit më parë.
Gjithashtu, agjentët raportojnë rënie të inventarëve (numrit të pronave të pashitura) dhe rritje në vlera mesatare të çmimeve të shitjes. Megjithëse kanë më pak prona të pashitura dhe çmimet po rriten, agjentët sidoqoftë e vlerësojnë situatën e tregut në përkeqësim.
Për sa i takon ofertës, Banka e Shqipërisë evidenton se kredia për ndërtim shënoi rënie krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit, por rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Numri i lejeve të ndërtimit të dhëna gjatë tremujorit III 2020 ishte gjithashtu më i ulët krahasuar me një vit më parë. Në pritshmëritë e tyre për të ardhmen, agjentët mbeten pesimistë për të ardhmen afatshkurtër të tregut, por optimistë në terma më afatgjatë.
Informacioni mbi ecurinë e çmimeve dhe vlerësimin e situatës në tregun e pasurive të paluajtshme merret nëpërmjet vrojtimit në terren të një kampioni të përbërë nga 230 subjekte, që kanë si aktivitet kryesor tregtimin e pronave të paluajtshme dhe ndërtimin, shitjet e të cilave përfaqësojnë rreth 75%-80% të xhiros së tregut. /Monitor