Lajçak paralajmëron: Së shpejti mund të ketë marrëveshje të reja Kosovë-Serbi

Tani na nevojitet vendimi i nivelit politik, ka thënë emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kur ka deklaruar në Prishtinë se në kuadër të dialogut janë “edhe disa dokumente të tjera në faza të finalizuara”.

Në konferencën në fund të vizitës treditëshe, Lajçaku ka vlerësuar lartë marrëveshjen e arritur për udhërrëfyesin mbi marrëveshjet e mëhershme për energjinë në veri. Teksa ka folur edhe për diskutimet e gjata për marrëveshjen për targat, Lajçaku ka paralajmëruar marrëveshje të reja. Ka thënë se “duhet të vlerësojmë secilën marrëveshje që është arritur e të mos kritikojmë vetëm ato që nuk janë arritur”.

I pyetur për deklaratën se Kosova e Serbia s’mund të bëhen pjesë e BE-së pa e njohur njëra-tjetrën, Lajçaku ka thënë se “kjo është arsyeja pse nevojiten takime të rregullta që të përkufizohet se çfarë nënkupton normalizimi i plotë i marrëdhënieve dhe si të arrihet”.

Sipas tij, deklaratat e palëve që të përkufizojnë synimet në fillim të procesit s’duhet të mbidramatizohen.

Në fund ka përsëritur shpresën që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të takohen së shpejti e që takimi të jetë produktiv.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *