Një ndërprerje e papritur e importeve të gazit rus do të kishte një ndikim të rëndësishëm në fuqinë punëtore gjermane ku llogaritete që pasojat të prekin 5.6 milionë vende pune.
Shoqata Industriale bavareze VBW porositi një studim për të përcaktuar se çfarë do të nënkuptonte një pezullim i plotë I furnizimeve ruse për ekonominë më të madhe të Evropës.
Rezultatet treguan se të parët që do të goditen do të jenë prodhuesit e qelqit, çelikut, kimikateve, qeramikës, ushqimeve dhe tekstileve, të cilët gjithashtu do të pësojnë më shumë.
Kur pasojat indirekte përfshihen në llogaritje, për shembull në zinxhirët e furnizimit, humbja e vlerësuar në krijimin e vlerës mund të jetë 193 miliardë euro gjatë një periudhe gjashtëmujore, zbuluan autorët e studimit.
Gazprom i Rusisë ka shkurtuar furnizimin me gaz në Gjermani nëpërmjet tubacionit Nord Stream 1 me 60 për qind për shkak të asaj që pretendon se është një vonesë në dërgimin e pajisjeve në Siemens për riparim.
Pezullimi i eksporteve të gazit nga Rusia do t’i kushtojë Gjermanisë 12.7 për qind të PBB-së në gjysmën e dytë të vitit, sipas të dhënave të paraqitura nga shoqata industriale VBW.
Për shkak të furnizimeve të reduktuara, Gjermania njoftoi një fazë të dytë të gatishmërisë për krizën e furnizimit, duke u thënë kompanive dhe qytetarëve se duhet të ulin konsumin, pasi krijimi i stoqeve dimërore është prioritet.
Gjysma e 41 milionë familjeve ngrohen me gaz dhe me fillimin e sezonit të ngrohjes, qeveria dëshiron të mbushë magazinat nëntokësore ku mund të depozitojnë mjaftueshëm për dy muaj e gjysmë konsum, deri në 80 për qind. Aktualisht është plot 60.3 për qind.