Zyrtarisht jemi në stinën e pranverës, por temperaturat si në mes të verës do të nisin që këtë fundjave, ku i nxehti afrikan do të jetë i pranishëm në vendin tonë. Ditët e gjata me shi tashmë i kanë lënë vendin temperaturave të larta dhe kohës së përshtatshme për plazh.
Një valë e parë e të nxehtit afrikan ka prekur Ballkanin Juglindor dhe do të influencojë edhe territorin e Shqipërisë, duke sjellë temperatura tipike të stinës së verës.
Sipas meteorologes në RTSH, Rezarta Xhakollari, temperaturat do të arrijnë mbi 30-32 gradë në zonat bregdetare, në zonën e ulët por edhe në qytet malore parashikohet të arrijë deri në 28-29 gradë C. Sipas parashikimit të saj, ditët e para të muajit maj sjellin edhe rërën e Saharasë.
“Përsa i përket ditëve të para të muajit maj, do të mbeten nën ndikimin e rrymave nga Saharaja, të cilat do të sjellin edhe rërën sahariane, por në shtresat e larta të atmosferës mbetet influenca e masave ajrore relativisht më të paqëndrueshme dhe fundjava, kryesisht dita e nesërme, e shtuna, do të kemi një sistem vranësirash shtresore dhe parashikohet të ketë reshje të pakta”.
Temperaturat në normalitet priten të rikthehen ditën e diel dhe në vazhdim.
“Temperaturat do të mbeten të larta, sërish në zonat malore do të mbeten 28 gradë C, në bregdet dhe zonën e ulët do të jenë 30 gradë C.
Ndërsa ditën e dielë dhe më tej do të kemi një stabilitet të kushteve atmosferike, do të jetë një mot i alternuar me kthjellime dhe vranësira dhe temperaturat do të zbresin me 5-6 gradë C, duke u rikthyer në normalitet”.
/Priza.al/