Ky vit shënon 80-vjetorin e grave të rekrutuara në përpjekjet e luftës, për t’u siguruar që të gjithë të bënin gjithçka që ishte e nevojshme, teksa trupat aleate luftuan pa u lodhur në të gjithë Evropën kundër Hitlerit. Puna përfshinte përdorimin e vinçave të mëdhenj në fabrika të rrezikshme, prodhimin e municioneve, shofere zjarrfikësesh ose si infermiere.
Shumë prej tyre rrezikonin jetën dhe gjymtyrët, për t’u siguruar që vendi të mos mposhtej. Ivy Markham ishte 34 vjeçe në vitin 1940, kur filloi të punonte si shofere vinçi në një nga fabrikat në lumin Don, në anën lindore të Sheffield. Ajo e bëri këtë, pavarësisht se disa muaj më parë burri i saj kishte prerë kokën në një makineri në fabrikë gjatë një aksidenti të tmerrshëm. Ivy ishte ndër miliona gra midis moshës 18 dhe 60 vjeç, të cilave në mars të vitit 1941, i’u tha se duhet të regjistroheshin në punë pasi Ministri i Punës, Ernest Bevin futi ligje të reja për të maksimizuar fuqinë punëtore.
Thuajse të gjitha gratë, e përshkruan eksperiencën e punës në ato fabrika si ‘ferrin mbi tokë’. Në vitet 1940, ato nuk kishin siguri në punë dhe shumë prej tyre pësuan lëndime që i lanë me pasoja për dekadat e ardhshme. Disa pësuan dëmtime të tmerrshme në shpinë, ndërsa disa patën probleme me frymëmarrjen, për shkak të tymrave dhe pluhurin që thithën.
Në atë periudhë, shumë njerëzve iu kthye jeta përmbys dhe iu desh të përshtateshin me një jetesë të re të tmerrshme shumë shpejt. Një tjetër punëtore në fabrikën e çelikut Shaffield, Annie Denial ishte 42 vjeç kur filloi të punojë në Brown Bayley Steels në 1942, ndërsa burri i saj, George, ishte larguar në luftë. Djali i saj, Brisn Denial, tani 88 vjeç tregoi: Unë isha vetëm 8 vjeç dhe motra ime Barbara ishte vetëm 2 vjeç, kur nisi të punonte në fabrikë.
Ndonjëherë ajo ikte në orën nëntë të darkës dhe kthehej në orën 6:30 mëngjesin tjetër dhe rrëzohej në shtrat e rraskapitur. Ajo pastronte shtëpinë, na gatuante dhe përpiqej që të kalonte sa më shumë kohë me ne. Vetëm kur u rrita, e kuptova se sa vite të vështira kishin qenë ato për nënën time. Lëndimet në fabrikë ishin diçka e zakonshme, siç kujton Kathleen Roberts, tani 99 vjeç, e cila drejtoi fushatën për njohjen e punëtorëve të kohës së luftës në Sheffield.
“Kanë kaluar 80 vite që kur fillova të punoj në Brown Bayleys, por unë ende vuaj nga dhimbjet e shpinës, pasi pësova një aksident të tmerrshëm gjatë punës. Ne punonim me makineri të mëdha, të rrezikshme, duke trajtuar copa të rënda çeliku, dhe ky ishte një realitet i ndryshëm nga ai që ishim mësuar më parë. Fabrikat kërkonin gra punëtore, pavarësisht se sa kërkuese dhe të rrezikshme ishin ato”, tha Roberts.
Në vitin 1941 qeveria rekrutoi gra të moshës 20-30 vjeç në industritë e luftës, Forcat e Armatosura dhe Mbrojtjes Civile, pas thirrjes së famshme të Winston Churchill. Besohet se afërsisht 950,000 gra kanë punuar në fabrikat britanike të municionit, duke bërë predha, pjesë për tanke dhe aeroplanë luftarakë. Shifrat e qeverisë tregojnë se punësimi i grave u rrit nga 5.1 milion në vitin 1939 në 7.25 milion, por paga e tyre ishte mesatarisht vetëm 53% e asaj të marrë nga homologët e tyre meshkuj.
Përshtati: Priza.al/Burimi:Mirror