Republika e Kosovës kundërshton çdo udhërrëfyes shtesë apo rivlerësim të kritereve për liberalizmin e vizave. Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, thotë se iu ka bërë të qartë të gjithë përfaqësuesve të Bashkimit Evropian që Kosova nuk do të bëhet pjesë e asnjë iniciative e cila do të stërzgjaste procesin për lëvizje të lirë. Osmani thotë se tashmë Kosovës i është dhënë përgjigje nga shumica e zyrtarëve te BE-së që nuk ka një synim të tillë, megjithatë ajo vlerëson që duhet punuar bashkërisht në mënyrë që propozime të tilla, si ai për udhërrëfyesin e ri, të mos bëhet fakt.
Duke folur për KosovaPress, presidentja thotë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet, duke theksuar se vendimi për liberalizim është vonuar.
“Ne kërkojmë që të trajtohemi ashtu siç janë trajtuar shtetet e tjera, në historinë e Bashkimit Evropian nuk ka ndodhur asnjëherë që të vendoset një udhërrëfyes i dytë, rrjedhimisht edhe kritere të reja, apo rivlerësim i kritereve që nga fillimi, prandaj është e domosdoshme që ne si Republikë e Kosovës të kundërshtojmë një qasje të tillë, ashtu siç e kemi bërë.
Presidentja thotë se tashmë ka marrë përgjigje nga shumica e zyrtarëve të Bashkimit Evropian që nuk ekziston synimi për kritere shtesë.
Në debatin që u zhvillua të hënën në Parlamentin evropian, komisionari i Bashkimit Evropian për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varhely ka paralajmëruar udhërrëfyes shtesë për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Ndërsa të martën nga Komisioni Evropian është thënë se nuk planifikojnë diçka të tillë dhe se vazhdojnë të mbrojnë qëndrimin se Kosova i ka plotësuar kushtet për lëvizje të lirë në vendet e Bashkimit Evropian.