Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ka dhënë një mesazh për Ditën Ndërkombëtare të Parlamentarizmit.
Nikolla tha se Kuvendi është i angazhuar në reformat demokratizuese dhe integruese, ku cilësoi se ky i fundit është një një shtyllë e sistemit demokratik.
Ndër të tjera, kryeparlamentarja tha se Kuvendi konsolidon traditën për avancimin e reformave, mbrojtjen e interesit kombëtar e publik, rritjen e pjesëmarrjes së grave në jetën parlamentare e publike etj.
“Kjo ditë bashkon 272 parlamente (193 Dhoma Deputetësh, 79 Senate) dhe rreth 46 mijë parlamentarë në 193 shtete anembanë globit, në qëllimin e përbashkët për të fuqizuar demokracinë liberale dhe sistemet përfaqësuese. Kuvendi i Shqipërisë është anëtar aktiv i Unionit Parlamentar Ndërkombëtar dhe forumeve parlamentare ndërkombëtare. Kuvendi është i angazhuar në reformat demokratizuese dhe integruese, udhëheq e legjitimon procesin e integrimit evropian dhe partneritetin me aleatët euro-atlantikë.
Në fillimet e shekullit të dytë të parlamentarizmit shqiptar, Kuvendi, si një shtyllë e sistemit demokratik, konsolidon traditën për avancimin e reformave, mbrojtjen e interesit kombëtar e publik, rritjen e pjesëmarrjes së grave në jetën parlamentare e publike, transparencën, diplomacinë parlamentare dhe kontributin për sigurinë e paqen”, tha ajo.