Këngëtari i hitit të famshëm “I Believe I Can Fly” R. Kelly do të vuajë 30 vite burg nën akuzën e abuzimit seksual ndaj të miturve.
Avokatët e artistit 55 vjeçar janë përpjekur më kot të marrin një dënim më të butë duke u thirrur në abuzimet që vetë këngëtari kishte pësuar edhe në familjen e tij në fëmijëri.
Kelly heshti teksa dëgjoi dënimin, i cili vendoste edhe pagesën e një gjobe prej 100 mijë dollarësh. “Ndërsa seksi ishte sigurisht një nga armët që keni përdorur, ky nuk është një rast seksi. Është një rast dhune, mizorie dhe kontrolli,” tha gjyqtarja Ann Donnelly në gjykatë.
Fokusi në sjelljen seksuale të Kelly-t u shfaq pas lindjes së lëvizjes #MeToo dhe u rrit me përhapjen e serialeve dokumentare “Surviving R. Kelly”.Në gjykatë dëshmuan disa viktima. “R. Kelly ishte një Pied Piper që joshte të miturit me paratë e tij dhe personazhin e tij të famshëm”, tha një grua e identifikuar vetëm me emrin Angela.
“Me çdo viktimë të re të shtuar ju shndërroheshit në njeri të lig,” tha ajo, duke e parë Kellin në sy. “Ti përdore famën dhe fuqinë për të afruar vajza dhe djem të mitur dhe për t’i skllavëruar në kënaqësinë tënde seksuale”.