Në shumë vende të botës përkujtohet më 1 Maj dita e punëtorëve. Dita e Punës, ose Festa e Punëtorëve, është një festë që festohet më 1 Maj të çdo viti, e cila synon të kujtojë angazhimin e lëvizjeve sindikale dhe vështrimin ekonomik-social të punëtorëve. Dita e Punëtorëve i referohet kujtimit të protestave të punëtorëve që synonin një të drejtë të madhe, dhe që konsistonte në orarin e punës, në 8 orë. Këto protesta çuan në nxjerrjen e një ligji që u miratua në 1866 në Illinois (SHBA). Dita e punëtorëve në Shqipëri organizohet ndryshe nga vendet e botës. Shqiptarët festojnë në vend që të protestojnë.
Për herë të parë, 1 Maji është kremtuar në Shqipëri në vitin 1905, kohë kur Shqipëria ende ishte pjesë e Perandorisë Osmane. Të paktën kjo shkruhet në librin “Kronikë e lëvizjes punëtore e sindikale në Shqipëri”, të autorit Stilian Adhami, publikuar në vitin 1969.
Autori shkruan se më 1 Maj të vitit 1905, një grup të rinjsh e punëtorësh organizuan një manifestim nëpër rrugë, dhe një piknik jashtë qytetit të Shkodrës, në urën e Mesit.
Gjatë periudhës së regjimit komunist, 1 Maji u kthye në ditë feste, me argumentin se punëtorët tashmë nuk kishin pse të protestonin më apo të organizonin greva, dhe se duhej festuar fitorja e arritur nga punëtorët në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Manifestimet e 1 Majit gjatë periudhës së komunizmit, kanë qenë ndër manifestimet më të mëdha që organizoheshin në vend çdo vit. 1 Maji dikur, këtë ditë feste e kishin pushim zyrtar, visheshin bukur, veteranët vinin dekoratat, vendi ishte i zbukuruar me flamuj të kuq për të nderuar këtë festë duke festuar e marshuar të gëzuar. Bëheshin vizita nëpër familje, zhvilloheshin koncerte me këngë e valle; ndaheshin stimuj material e moral për të dalluarit në punë. Në çdo ballkon të institucioneve, fabrika e uzina valëviteshin flamuj të kuq. Edhe pionierët ishin të veshur bukur dhe mbanin në duar flamuj.