Arrihet marrëveshja për Maqedoninë e Veriut?!

Jam i bindur se kemi gjetur një zgjidhje kompromisi mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, tha presidenti francez Emanuel Makron në fund të Samitit të NATO-s, në Madrid. Sipas tij, të martën është bërë përparim drejt gjetjes së një zgjidhjeje mes dy vendeve.

 

“Mund të them se është gjetur kompromis, një kompromis që është në përputhje me të dyja palët dhe besoj se është i pranueshëm. Në ditët në vijim, të dyja palët do ta konfirmojnë këtë. Presidenti dhe kryeministri bullgar tashmë e kanë mbështetur propozimin francez dhe do të ketë diskutime në ditët në vijim në Shkup. Kjo është e rëndësishme për sigurinë, stabilitetin dhe se e kaluara mund të tejkalohet“, deklaroi Emanuel Makron – President i Francës.

Menjëherë pas konferencës për shtyp të Makronit, Qeveria njoftoi se ka mbërritur zyrtarisht në Shkup një propozim nga presidenca franceze. Nga Qeveria shtojnë se kanë mbërritur ide që kanë të bëjnë me pozicionet dhe qëndrimet e deklaruara publikisht të autoriteteve të vendit.

“Kjo është baza për hapjen e një procesi të gjerë konsultativ fillimisht në Qeveri dhe partnerët e koalicionit, e më pas edhe me Presidentin e Shtetit, me Parlamentin dhe me opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë të vendit. Siç kemi premtuar, vendimin për të ardhmen tonë do ta marrim bashkërisht, me merita, në përputhje me interesat strategjike të vendit dhe të gjithë qytetarëve të tij”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Qeveria nuk ka dhënë detaje se çfarë saktësisht përmban ky propozim francez, dhe nëse teksti ka pësuar disa ndryshime për të cilat këmbënguli Shkupi. Bëhet fjalë për formulim të qartë të gjuhës maqedonase në kornizën negociatore dhe mbrojtje e qartë e identitetit maqedonas, përjashtimi i çështjeve historike nga korniza negociuese, dhe fillimi i negociatave para se të fillojë procesi i ndryshimeve kushtetuese, për inkorporim të bullgarëve. Sipas informacioneve jozyrtare, shefat e diplomacisë së Maqedonisë dhe Bullgarisë, Bujar Osmani dhe Teodora Gençovska, kanë pasur një takim dypalësh në margjinat e Samitit të NATO-s. Kryeministri shqiptar Edi Rama ndërkohë nga Madridi ka shkruar në profilin e tij në Facebook “…Mbase lajm i mirë sot”

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *