Erdogan kërcënon sërish Suedinë dhe Finlandën

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka kërcënuar sërish se do të bllokojë Suedinë dhe Finlandën nga anëtarësimi në NATO, më pak se 48 orë pas marrëveshjes mes tre vendeve.

Ai  u bëri thirrje dy vendeve nordike të “marrin pjesën e tyre” në luftën kundër terrorizmit ose të rrezikojnë të varrosin memorandumin e nënshkruar të martën në mbrëmje.

Që nga mesi i majit, Ankaraja ka bllokuar procesin e zgjerimit me të dy vendet, duke i akuzuar ata për mbrojtjen e luftëtarëve kurdë nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe Njësitë e Mbrojtjes së Popullit (YPG), të cilat i klasifikon ndër lëvizjet terroriste.

Por të martën në mbrëmje, qeveritë turke, suedeze dhe finlandeze nënshkruan një memorandum mirëkuptimi duke hapur hyrjen e dy vendeve nordike në Aleancën Atlantike.

Por Erdogan ka kushtet e tij:  “Nëse ata e përmbushin detyrën e tyre, ne do ta dorëzojmë (memorandumin) në parlament” për miratim. “Nëse nuk e bëjnë, nuk bëhet fjalë që ne ta dërgojmë në parlament…”, paralajmëroi ai.

Stokholmi reagoi duke kujtuar se vendimet e tij për ekstradimin i nënshtroheshin një drejtësie “të pavarur”.

“Në Suedi, ligji suedez zbatohet me gjykatat e pavarura”, tha ministri i Drejtësisë Morgan Johansson në një deklaratë me shkrim dërguar AFP.

“Njerëzit jo-suedezë mund të ekstradohen me kërkesë të vendeve të tjera, por vetëm nëse është në përputhje me ligjin suedez dhe Konventën Evropiane për Ekstradimet,” këmbënguli ai.

Kërkesa është pritur ftohtë në Helsinki dhe Stokholm.

“Të gjitha këto raste tashmë janë zgjidhur në Finlandë,” komentoi presidenti finlandez Sauli Niinistö.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *