Komisioni i Reformës Territoriale është duke zhvilluar këtë të hënë seancën dëgjimore me përfaqësues të shoqërisë civile.
Në këtë seancë, deputetja e PD-së, Dhurata Çupi tha se reforma e vitit 2014 ishte joefikase.
“Fakti që në i kthehemi reformës territoriale, është pikërisht fakti se ajo reformë e realizuar në 2014, ishte jo efikase. Me këtë pyetje duhet ta nisim punën në këtë komision, cilat janë problematikat, pse ka dështuar reforma, pse nuk u arrit ajo që pritej? Cilat janë anët e mira të reformës që mund të ruhen nga reforma e kaluar”, tha ajo.
Lidhur me këtë, drejtoresha Ekzekutive në Institutin e Politikave Publike dhe Private, Albana Dhimitri ka shpjeguar se pse reforma në vitin 2014 ka rezultuar problematike.
Sipas saj kjo reformë në 2014 uli pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje.
“Ne kemi pasur mundësi të jemi thuajse në çdo bashki. Kemi pasur një eksperiencë të rëndësishme për të prekur reformën në pikëpamjet politike, qoftë dhe administrative. Efikasiteti administratës publike, ishin 370 njësi të qeverisjes vendore para 2014. Kemi bërë një studim mbi të ardhurat për kokë nga ndryshimi i hartës territoriale dhe na rezulton që të ardhurat janë shumë më të larta në nivel bashkie se përpara reformës. Sa i takon shërbimeve, ka tregues në rritje. Shpenzimet për investimet janë të rritura me disa fish krahasuar me përpara reformës. Ana negative ishte ulja e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje, pra kishte pjesë të popullatës që për shkak të largësisë me njësinë administrative bashkisë, nuk kishin mundësi fizike për të qenë pjesëmarrës në mbledhjet e zhvilluara apo elementëve të tjerë të përditshmërisë”, tha ajo.