Cristiano Ronaldo i ka kërkuar Manchester United që ta lërë të largohet. Për këtë janë të sigurt në Angli, ku nga shumë anë konfirmohet kërkesa e portugezit drejtuar klubit të tij për t’i lehtësuar daljen në rast të ardhjes së një oferte adekuate.
Ronaldo, i cili shënoi 24 gola në sezonin e rikthimit të tij te Djajtë e Kuq pas transferimit nga Juventusi, nuk ishte në gjendje të ndihmonte United të fitonte një vend në Ligën e Kampionëve, një kompeticion që do të dëshironte ende ta luante si protagonist për të provuar ta fitojë.
Për këtë arsye, me ndihmën e menaxherit të fuqishëm Jorge Mendes, ai do të përpiqet ta sforcojë situatën duke sjellë një ofertë që United mund ta konsiderojë të përshtatshme. Sipas Athletic, Chelsea në javët e fundit, me pronësinë e re, ka kërkuar informacion për situatën e portugezit dhe gjithashtu Bayern Mynih, pavarësisht mohimeve të javëve të fundit, ka diskutuar mundësinë për të afruan në Allianz Arena CR7. Gazeta britanike online përmend edhe Napolin, ndërsa PSG nuk figuron asnjë herë në mesin e pretendentëve të mundshëm.