FOTO/“Zoti është i madh”, “Super Mona” dhe presidenti “harrojnë” zgjedhjet. Çifti presidencial shfaqen të përqafuar

Familja presidenciale, kanë lënë pas akuzat e forta të shkaktuara nga rezultati i zgjedhjeve të 25 prillit, duke iu dedikuar njëri-tjetrit, e mbi të gjitha duke uruar besimtarët ortodoksë për festën e Pashkës. Kreu i Shtetit, Ilir Meta e bashkëshortja e tij, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, si rrallë herë kanë shpallur ‘armëpushim’, dhe kanë përcjellë urimet e tyre.

I pari që ndau një foto jashtë kornizave politike ishte presidenti Meta, i cili ka në krahë bashkëshorten e tij. Ai duket se sot ka hequr dorë nga presionet për rinumërim të votave. Ndryshe nga çfarë është pasqyruar ditët e fundit, ku bënte thirrje që e gjithë vëmendja duhet të jetë e përqendruar në evidentimin dhe hetimin e çdo parregullsie, Meta me gjasë këtë tezë e ka lënë përkohësisht.

Ai ka respektuar festën, e madje urimi vjen me një foto të bukur përkrah kryetares së LSI-së, e cila mori një ‘shuplakë’ të fortë në këto zgjedhje. Ja se çfarë shkruan Meta në urimin në fjalë:

“Gëzuar Pashkën! Drita e kësaj Dite të Shenjtë të ngrohë zemrat dhe të ndriçojë gjithmonë familjet tuaja me shpresë, mbarësi dhe gëzim!”.

Por nuk ka vonuar shumë edhe urimi nga vetë bashkëshortja e Kreut të Shtetit. Me një tjetër foto, ku ajo nuk kursen edhe një përqafim ndaj bashkëshortit, përcjell urimin e saj që le vend për nënkuptime. “Miq dhe dashamirës, GËZUAR nga ne të dy! Zoti është i madh dhe gjithmonë pranë atyre që besojnë tek e mira. Bekime për ju dhe familjet tuaja”, shkruan ajo.

Pas 25 prillit, opozita dhe Meta dhanë sinjale për mosnjohje të zgjedhjeve. Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto fërkime, Meta ka paralajmëruar se nuk do të njohë qeverinë e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, të cilat u fituan nga Partia Socialiste. Në konferencat për media nga Presidenca, presidenti Meta ka bërë të qartë se zgjedhjet nuk kanë përfunduar ende, dhe se sipas tij, rezultati i deritanishëm mund të jetë vetëm paraprak. Ai theksoi se duhet rinumëruar gjithçka, ndërsa vuri theksin te numri i madh i votave të pavlefshme, që sipas Metës, duhet të hetohen.

/Priza.al/

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *