Post Kufitare në brigjet shqiptare, ministri Çuçi: Qytetarët e huaj do ndihen të sigurt

Në brigjet shqiptare do të vendoset një Post Kufitare e Lëvizshme për të lehtësuar hyrjen e shtetasve të huaj që mbërrijnë në territorin tonë me mjete lundruese apo të shtetasve shqiptarë që duan të dalin në Mesdhe pa qenë nevoja të paraqiten në portet e vendit tonë. Lajmin e bëri të ditur ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi teksa ishte në Durrës në ceremoninë e dorëzimit të 5 varkave të reja të patrullimit dhe 2 pajisjeve të survejimit me teknologji të lartë për ruajtjen e kufirit, të financuara nga Bashkimi Evropian përmes programit IPA.

“Një lajm i mirë për të gjithë lundërtarët dhe përdoruesit e detit që duan të vijnë në Shqipëri dhe që duan të dalin nga Shqipëria për të shijuar brigjet e Mesdheut, ne do të vendosim në brigjet shqiptare një Post Kufitare Lëvizëse në mënyrë që çdo mjet lundrues që do të hyjë në Shqipëri nuk ka nevojë të shkojë në një nga 3 portet kufitare që ka Shqipëria, por mjafton të lajmërojë në pikën ku është dhe do të vijë vetë mjeti i kufirit për të kryer të gjithë procedurat e hyrjes në territorin e Shqipërisë”, u shpreh ministri Çuçi.

Lidhur me shtimin e 5 mjeteve të reja në flotën e Policisë Kufitare dhe riparimin e plotë të 7 të tjerave, si dhe instalimi i 2 radarëve për mbikëqyrjen e kufirit blu, ministri theksoi se ky është një hap më tej në sigurinë jo vetëm të kufijve të Shqipërisë, por në sigurinë e kufijve të Evropës.

“Ne e ndryshuam totalisht strategjinë tonë për ruajtjen e kufijve duke i hapur kufijtë, por duke shtuar dhe duke siguruar sa më shumë ruajtjen e tyre. Kemi 7 mjete të cilat janë riparuar apo rinovuar me projektin e BE dhe 5 mjete të reja të sapoardhura të pajisura me teknologjinë e fundit detare. Padyshim kjo do të krijojë një klimë që çdo qytetar i huaj që vjen në Shqipëri të ndihet i lirë, por i sigurt”, deklaroi Ministri i Brendshëm.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, u shpreh se këto mjete të reja e të përbashkëta janë në shërbim të betejave të përbashkëta për sigurinë e kufijve tanë dhe të BE-së.

“Këto mjete që sot po i përfitoi Policia e Shtetit, unë do t’i cilësoja si “Mjete të përbashkëta, për beteja të përbashkëta”. Sot bashkëndajmë mjetet, nesër do të bashkëndajmë rezultatet që do të marrim prej përdorimit të tyre, sepse deti nuk është vetëm pasuri kombëtare, por është një terren i mirëfilltë jetësor, i cili ka nevojë për kontrolle të vazhdueshme e logjistikë bashkëkohore, që të mos shndërrohet në një terren kriminal”, tha Nano.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *