Çështja e magjisë ka ndikuar tek mendësia e shumë njerëzve, që të kryejnë krime të rënda. Një shqiptar nuk e ka menduar dy herë, por ka vrarë një 60-vjeçar grek, pasi pretendonte se i ndjeri i bënte magji. 32-vjeçari shqiptar, i cili akuzohet për vrasjen e punonjësit në qendrën shëndetësore Kalivia, dhjetorin e kaluar, pritet të njihet me masën e sigurisë në datën 5 maj. Disa ditë pas krimit, shqiptari ishte larguar në Shqipëri, për t’u fshehur. Këtë detaj e kanë përcjellë mediat fqinje, duke iu referuar hetimit në lidhje me këtë rast.
Shqiptari, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije, është ekstraduar në Greqi ku edhe ka qëndruar në paraburgim deri në dhënien e dënimit. Autori i krimit pranoi krimin, ndërsa gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, iu gjetën dhe konfiskuan një armë gjahu dhe 31 gëzhoja.
Pas dorëzimit të tij autoriteteve greke, policia mori dëshminë e autorit, e cila hodhi edhe më shumë dritë mbi ngjarjen e rëndë. Ai ka thënë se krimin e ka kryer pasi 60-vjeçari grek, i kishte grabitur shërbimet publike, së bashku me bashkëshorten. E po sipas tij, më tej ai i kishte bërë magji.
“Më kishte grabitur shërbimet publike ai dhe gruaja e tij, e cila ishte menaxherja. Pastaj ai më bëri magji dhe kjo është arsyeja pse vendosa ta vras. Unë e bleva armën nga Menidi dhe pas vrasjes e hodha larg”, tha autori 32-vjeçar.